AKTUALITET, 22 Gusht 2020, 11:39

Mbërrin rëndë në Berlin kundërshtari i Putinit, dyshohet se u helmua


Ka mbërritur pak më parë në Berlin, për trajtim më të specializuar mjekësor, lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, i cili dyshohet se është helmuar me një lëndë ende të paidentifikuar.

BBC raporton se avioni që transportonte Alexei Navalny-n u ul pak më parë në Berlin.

Navalny u ndje keq menjëherë pasi piu një çaj në aeroportin e Tomskut në Siberi teksa ishte duke u nisur për në Moskë.

Pas shqetësimeve të mëdha të tij, avioni bëri një ulje të detyruar në Omsk ku edhe mori trajtimet e para.

Edhe pse të afërmit dhe bashkëpunëtorët këmbëngulnin se ai duhej të transportohej për një mjekim më të specializuar, autoritetet lejuan largimin e tij për në Berlin vetëm sot.

Navalny është një aktivist, kritik i madh i Putinit, ndërsa të njëjtin fat si ai kanë patur më herët edhe kundërshtarë të tjerë të liderit rus.