AKTUALITET, 5 Janar 2019, 23:29

Martesa me Behramin e shpëtoi nga njeriu që iu bë makth, Lara Gut: Më ndiqte kudo!

Martesa me Behramin e shpëtoi nga njeriu që iu bë makth, Lara

Tashmë quhet Lara Gut-Behrami, por kur skiatorja e famshme zviceran ishte vetëm Lara Gut, ajo ka përjetuar një makth të cilin e njohin vetëm disa persona shumë të famshëm. 26-vjeçarja, e cila u martua pak muaj më parë me futbollistin shqiptar që përfaqësonte Zvicrën, ndiqej kudo nga një fans i cili nuk i ndahej… deri në momentin kur u martua.

“Kur të rriturit adhurojnë dhe thuajse persekutojnë sportistët, bëhet gjithçka më e vështirë”, tregoi ajo në një intervistë rreth këtij personi që e kishte ndjekur në çdo garë ku ajo merrte pjesë, në çdo vend të botës.

“Nuk dinim çfarë të bënim. Babai im i foli, edhe Xhulia e zyrës së shtypit foli me të. Edhe unë i kam shkruar disa herë duke i thënë që të mos vinte më në garat e mia. Nuk ishte një situatë e lehtë. U munduam t’i shpjegonim se sjellja e tij ishte e papërshtatshme. Kur mendoj se yjet botërorë kanë me mijëra persona të devotshëm që i ndjekin, të cilët i adhurojnë dhe shpesh ëndërrojnë për ta gjatë natës, thuajse lumturohem që u nda me kaq. Fatmirësisht, që nga momenti kur u martova, ai ka ndaluar së më ndjekuri”, shpjegoi skiatorja.