TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sot, në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë, do të mbahet “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët më 16 shtator do të mësojnë fatin e tyre nga Gjykata e Hagës.
Aktiviteti organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka njoftuar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë gjatë ditëve në komunat e Kosovës, por edhe në diasporë.
Në një foto të publikuar nga platforma, në shesh shihen posterët me fotografitë e Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të shoqëruara me mesazhin “Kosova po pret” dhe sloganin “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”.
Më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë, ndërsa 50 veteranë kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt Hagës për të mbështetur ish-komandantët e UÇK-së.
Që prej nëntorit të vitit 2020, katër ish-krerët e UÇK-së qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në shkurt të këtij viti, ata dolën për herë të tretë para Gjykatës Speciale për të dhënë deklarimet e tyre, ndërsa procesi ka nisur në prill të vitit 2023. Në deklarimet e secilit prej tyre u theksua lufta për liri, pafajësia, Kosova e pavarur, masakrat e kryera nga regjimi serb dhe krenaria për UÇK-në.
Avokatët mbrojtës kanë kërkuar pafajësinë e tyre dhe kanë mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, duke i cilësuar ato si të pabazuara në fakte apo të vërteta.