TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka dështuar edhe seanca konstituive e kësaj të premteje në Kuvendin e Kosovës, teksa kryetarja Albulena Haxhiu njoftoi ndërprerjen e saj. Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, ndërsa më tej Haxhiu hodhi në votim propozimin që kandidatët për nënkryetarë të votohen individualisht.
Partitë ndryshe nga seanca e kaluar që nuk ranë dakord se si të votohen nënkryetarët, në grup apo ndaras, këtë të premte votuan për votimin e nënkryetarëve veçmas me 71 vota pro. Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar me 100 vota pro ndërsa Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës nuk u zgjodh nënkryetare pasi mori vetëm 44 vota.
Kur PDK u ftua për të bërë një propozim të ri për nënkryetar, deputetët e kësaj lëvizjeje braktisën sallën me përjashtim të deputetit Mërgim Lushtaku.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës.
“Prej sot PDK-ja nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe do ta referojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka konsensus. Ne e patë me qëllim të konstituimit të Kuvendit, e votuam të propozuarin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa ata nuk e kanë propozuar kandidaten”, tha Hamza.
Deklarata erdhi pas ndërprerjes së seancës konstituive, pasi deputetët e PDK-së u larguan nga salla kur Vetëvendosje nuk votoi kandidaten e partisë, Vlora Çitakun, për nënkryetare të Kuvendit.
Kujtojmë se ditën e mërkurë deputetët rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit, por më pas seanca u shty për shkak të përplasjeve mes partive lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.
Një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiç i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.