AKTUALITET, 27 Prill 2020, 15:32

Deklarata e Baton Haxhiut për amnisti në Kosovë dhe Serbi, shkakton polemika të forta

Deklarata e Baton Haxhiut për amnisti në Kosovë dhe Serbi,

Një deklaratë e Baton Haxhiut në televizionin "T7", ka shkaktuar reagime të shumta.

Duke folur për një marrëveshje Kosovë-Serbi, Haxhiu tha se duhet të ketë një amnisti dy palëshe. Këtë, analisti e argumentoi me faktin se pas "20 vitesh nuk mund të dënohen më njerëz".

Sipas Baton Haxhiut, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë tre elementë.

"Kemi tre elemente që duhet t'i ketë marrëveshja. E Para, është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj. E dyta, ka të bëjë me amnistinë në të dy vendet, pas 20 vitesh s'kanë çfarë dënohen njerëzit. E treta, është definimi i Veriut", tha Haxhiu.

Video:

Deklarata e Haxhiut ka bërë mjaft bujë duke sjellë reagime të shumta. Por, analisti ka sqaruar ditën e sotme në një shkrim të tij, se çfarë ka nënkuptuar me amnisti, duke thënë se deklarata e tij ka dalë jashtë konteksti dhe se nuk bëhet fjalë për amnisti të krimeve të luftës.

"Amnistia për të cilën fola është amnistia siç definohet nga drejtësia, dhe jo amnistia siç definohet nga manipuluesit gebelsianë. Këta individë dhe këto grupe nuk e morën mundimin të lexojnë çfarë do të thotë amnistia, por nxituan të më veshin gjëra që nuk i kisha thënë dhe as menduar. Ata “zgjeruan” dhe stërkeqën definicionin e termit që përdora. Unë nuk fola për amnistimin e kriminelëve që vranë familjarët e mi, as të kriminelëve që vranë mijëra fëmijë, pleq dhe civilë të pambrojtur, as për amnistimin e ushtarëve e paramilitarëve që dhunuan mbi 20 mijë gra, dëbuan rreth 1 milion shqiptarë dhe dogjën e plaçkiten Kosovën. Nuk fola për këtë amnisti. Sepse, kjo nuk do të ishte amnisti, por vrasje e dytë e viktimave dhe e të dashurve të tyre. Unë fola për amnistinë politike, për ish-ushtarin e UÇK-së që burgoset, maltretohet dhe akuzohet me prova të dyshimta për terrorizëm dhe krime lufte nga organet serbe, sa herë që kalon nëpër territorin e Serbisë. Por, amnistia për gebelsianët mori kuptim më të gjerë se definicioni dhe kuptimi i saj ligjor, pasi vetëm si i tillë mund të kthehet në armë për të më sulmuar. E nëse amnistia përjashton krimet e luftës, sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare, si është e mundur që ajo kur thuhet nga unë – të nënkuptojë më shumë se ç’nënkuptohet brenda definimit të saj ligjor?", shkruan Haxhiu.

Për deklratën e Haxhiu, një reagim, ka ardhur nga ish kryeministri Berisha, që shprehet se, elementët e parashtruar nga Haxhiu, janë projekt i Vuçiç dhe Thaçit, për dorëzimin e veriut të Kosovës dhe amnistinë e krimeve të luftës.

"Ky eshte projekti i serbomadhit Vuçiç dhe argateve te tij, Miladinit shqipfoles, Zografit bis dhe Baton Stanishiqit me ze dhe figure nga ky i fundit:

-Dorezimi i Veriut te Kosoves Serbise!

-Amnistia e genocidit dhe krimeve kunder njerezimit te serbeve ne Kosove dhe mbyllja e dosjes se Miladinit shqipfoles! sb", shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi, ka reaguar, duke u shprehur se nuk do të ketë në asnjë rrethanë, amnisti për genocidin e Serbisë në Kosovë.

Por nuk do të ketë asnjë rrethanë, në asnjë kohë, nga askush amnisti përballë krimit dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid dhe këto krime të ndëshkohen prej autoriteteve përkatëse të drejtësisë, lokale dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2020/04/27/baton-haxhiu-deklarata-ime-u-nxorr-nga-konteksti-fola-per-amnisti-politike-jo-amnisti-te-krimineleve/