AKTUALITET, 17 Shtator 2020, 22:48

Marrëveshja e 4 shtatorit, Kosova pritet ta nderojë Donald Trump me “Urdhrin e Lirisë”

Marrëveshja e 4 shtatorit, Kosova pritet ta nderojë Donald Trump me

Kosova do t’i japë Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, “çmimin” më të lartë për rolin e tij në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një letër të parë nga Reuters, informoi presidentin Trump se ai do të marrë Medaljen e Kosovës për Urdhrin e Lirisë.

Ndërsa, dy ndihmësit e Trump, këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien dhe Richard Grenell, i dërguari i SHBA për bisedimet Kosovë-Serbi, do të marrin Medaljen Presidenciale të Meritave.

Si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, pjesë të ish Jugosllavisë, ranë dakord të punojnë në lidhjet ekonomike, por lanë pezull lëvizjen për normalizimin politik.

Në letrën drejtuar Trump, duke shprehur “mirënjohjen e tij të thellë për kontributin personal në ndërmjetësimin e marrëveshjes”, Thaçi ftoi presidentin amerikan që të vizitojë Kosovën.