AKTUALITET, 8 Tetor 2018, 15:47

Mala, njeriu i ndeshjeve “big”. Partizani thyen edhe Kukësin

Është mbyllur ndeshja e fundit e javës së tetë të Kategorisë Superiore mes Kukësit dhe Partizanit. Demat arrijnë të marrin pikë të plota ndaj verilindorëve duke triumfuar minimalisht me rezultatin 0-1, me golin e  Esat Malës në fraksionin e parë.

Sapo ishin mbushur 20 minuta lojë një aksion mjaft i bukur i miqve u finalizua siç duhet nga Esat Mala, i cili rezulton deçiziv dhe një herë tjetër për skuadrën e tij në një tjetër takim të madh, pas derbit me Tiranën.

Asani ftoi Bardhin në gjysmëfushën e Kukësit, me sulmuesin që me një qetësi për t’u admiruar dha një pasim fantastik për Malën, i cili doli i vetëm me Frashërin. I mjaftoi një prekje e lehtë mesfushorit që të mposhte Kukësin, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.

Një tentativë me kokë e Shpehar ishte rreziku më i madh i portës së Partizanit, por Hoxha u tregua vigjilent dhe neutralizoi rrezikun. Në fund Kukësi pëson humbjen e dytë radhazi, por për më tepër sheh Partizanin që t’i arratiset në vendin e parë me plot 19 pikë. Verilindorët mbeten në kuotën e 13 pikëve.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8

Kukësi 0-1 Partizani

Shënues: Mala 20′

GOLI