TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që opozita t’i bashkohet dialogut të Brukselit, PDK dhe Vetëvendosje po vazhdojnë të kundërshtojnë atë.
Kjo e fundit e arsyeton mos-përfshirjen për shkak të mos-legjitimitetit të Qeverisë. E analistët politik thonë se Vetëvendosje pa qenë vetë bartëse e procesit, nuk bëhet në asnjë formë pjesë e delegacionit.
Dy partitë opozitare, Vetëvendosje e PDK, po këmbëngulin se nuk do të kenë përfaqësuesit e tyre në ekipin dialogues në Bruksel.
“Një qeveri e cila haptazi nuk gëzon legjitimitet, e cila është qeveri për shkak të makinacioneve brenda e jashtë Kuvendit. Një qeveri që nga një qeveri e brishtë është shndërruar në qeveri jofunksionale pasi vota e saj e 61-të tashmë gjendet në burg, nuk ka se si të jetë bartëse e proceseve të kësaj rëndësie”, deklaroi zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.
“Partia Demokratike Kosovës do të qëndrojë në opozitë dhe si e tillë do të merr rolin që ka çdo opozitë në Kuvendin e Kosovës. Roli ynë karshi këtij procesi është si parti opozitare dhe ne do të sillemi si të tillë”, deklaroi zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.
Njohësi i zhvillimeve politike, Rasim Alija thotë se përfshirja e opozitës në dialog do të forconte pozitën dialoguese të Kosovës.
“Përfshirja e opozitën do të jepte siguri për një dialog më cilësorë në mënyrë që të mos rrëshqasim në gabime tjera…Unë në asnjë rrethanë nuk e shoh Vetëvendosjen pjesë të procesit pa qenë kjo e fundit pjesë e qeverisë…Epilogun e shoh se PDK do të jetë pjesë e procesit me kushtin që kjo të jetë në qeveri e më pas të merr edhe presidentin. Kjo mund të ndodh me rastin e zgjedhjes së presidentit apo nga fundi i dhjetorit”, deklaroi Rasim Alija.
Së fundmi emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë, kërkoi që opozita të jetë pjesë përbërëse e delegacionit, në kuadër të bisedimeve të Brukselit me Serbinë.