AKTUALITET, 17 Maj 2020, 18:38

Luan Rama: Teatrin e shembur duhet ta rindërtojmë!

Luan Rama: Teatrin e shembur duhet ta rindërtojmë!

Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama i cilëson barbarë ata që shembën Teatrin Kombëtar dhe thotë se, kujtesa qytetare duhet t’i fiksojë emrat e tyre dhe t'i trajtojë siç trajtohen barbarët.

Ai thotë se, teatri duhet rindërtuar nga e para sipas projektit të 1939-ës që, qyteti të mos e humbasë këtë shenjë të historisë

POSTIMI I PLOTË

BARBARËT E SHEMBËN TEATRIN

Sot nuk është shembur godina e Teatrit Kombëtar.

Sot është shembur një tempull.

Sot është dhunuar një vend i shenjtë.

Sot është zhdukur një gjurmë e çmuar e historisë qytetare të Tiranës!

Teatri nuk është vetëm i artistëve.

Më së pari, teatri është i qytetarëve.

Teatri e ka fisnikëruar njerëzimin.

Teatri ka gdhendur njeriun dhe e ka çliruar nga egërsia.

Teatri ka meritën kryesore për ndryshimin e mendësisë njerëzore, për qytetërimin e shoqërisë njerëzore.

Çështja e teatrit nuk është çështje sentimenti.

Mund të mendoni se sa emocione ishin arkivuar në atë ndërtesë që u rrëzua më përdhunë…

Njerëzit aty kanë duartrokitur, kanë qeshur, kanë qarë, kanë pranuar, kane refuzuar.

Jeta e kryeqytetit ka qenë e lidhur me atë ndërtesë, sado modeste apo e pavlerë që mund ti jetë dukur ndonjërit.

Sot qeveria e preu, sot qeveria e vrau këtë lidhje, siç në fakt ka prerë e ka vrarë edhe shumë lidhje të tjera!

Qytetit iu vodhën kinematë, për t’u bërë pallate, e i njejti njeri vjen sot dhe vjedh teatrin, emrin, tokën, historinë, emocionet e tij!

Unë nuk jam kundër që në Tiranë të ndërtohet një teatër i ri, modern dhe i bukur.

Madje të ndërtohen më shumë se një.

Por teatri që u prish sot, duhet rindërtuar nga e para sipas projektit të 1939-ës, me qëllim që qyteti të mos e humbasë këtë shenjë të historisë së vet, njësoj siç humbi Sheshin Skëndërbej, i cili nuk është më ai i kohës së Zogut, njësoj siç humbi bulevardin që e përshkonte Tiranën si një arterie e vetme prej Universitetit tek Stacioni i Trenit!

Sot u bë një marrëzi.

Barbarët e shembën teatrin.

Kujtesa qytetare duhet t’i fiksojë emrat e tyre dhe ti trajtojë siç trajtohen barbarët!