AKTUALITET, 24 October 2026, 11:08

Londër/ Goditet grupi i dyshuar kriminal shqiptar pas dy vitesh hetime, 10 të arrestuar, drogë dhe armë të sekuestruara

Londër/ Goditet grupi i dyshuar kriminal shqiptar pas dy vitesh hetime, 10

Një hetim dyvjeçar i policisë britanike ka çuar në goditjen e një grupi të dyshuar kriminal shqiptar, që dyshohet se ishte i përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e drogave të rënda, tregtimin e produkteve të falsifikuara dhe shfrytëzimin e një shtëpie publike në Hounslow, në Londrën Perëndimore.

Sipas raportimeve të medias britanike LBC, operacioni i gjerë policor përfundoi me arrestimin e 10 personave dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, armëve të ftohta, parave të gatshme, automjeteve dhe sendeve luksoze.

Hetuesit dyshojnë se grupi ishte i përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogave të kategorisë A, tregtinë e mallrave të falsifikuara dhe administrimin e një shtëpie publike në zonën e Hounslow-t.

Kontrollet nisën në orët e para të mëngjesit

Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, kur efektivët e policisë kontrolluan disa adresa në pjesë të ndryshme të Londrës Perëndimore.

Gjatë kontrolleve, oficerët gjetën sasi të mëdha substancash që dyshohet se janë ketaminë dhe kanabis. Lëndët e sekuestruara po analizohen dhe peshohen nga specialistët për të përcaktuar sasinë e saktë.

Policia, në bashkëpunim me inspektorët e tregtisë, kontrolloi edhe një minimarket, ku u verifikuan ambientet e brendshme, përfshirë hapësirat mbi panelet e tavanit, në kërkim të lëndëve narkotike dhe cigareve të falsifikuara. Për të hyrë në biznes, efektivët hapën me forcë grilën metalike duke përdorur një pajisje prerëse elektrike.

Në një apartament të vogël, ku qëndronin katër gra, u gjetën disa armë të ftohta, mes tyre thika të llojit “zombie”, një kosë e gjatë dhe një sëpatë.

Kontrolle u zhvilluan gjithashtu në banesa dhe në një pub, ku policia sekuestroi automjete, një orë Rolex dhe sende të tjera luksoze. Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive vlerësohet në rreth 200 mijë paund, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan edhe rreth 30 mijë paund para të gatshme.

“Shtëpia miliona paundëshe” e të dyshuarit kryesor

Një nga kontrollet më të rëndësishme u zhvillua në banesën e personit që dyshohet se drejtonte grupin kriminal. Oficerët e kishin cilësuar pronën si “shtëpia miliona paundëshe”.

Policia mbërriti në adresë pak para orës 05:00 të mëngjesit dhe përdori një dash për të hapur derën e përforcuar me shufra çeliku. Efektivët ishin pajisur gjithashtu me mburoja elektrike, për t'u mbrojtur nga qentë që mund të ndodheshin brenda banesës.

I dyshuari kryesor nuk u gjet në pronë, por aty u arrestua një grua që besohet të jetë bashkëshortja e tij.

Më vonë, një ekip tjetër policor konfirmoi se burri ishte lokalizuar në një nga adresat e tjera ku po zhvilloheshin kontrolle.

Dyshime për shfrytëzim seksual dhe përdorim të personave vulnerabël

Një tjetër adresë e kontrolluar nga policia ishte një objekt në Hounslow, që dyshohet se përdorej si shtëpi publike.

Sipas hetuesve, brenda ambienteve u gjetën katër gra dhe dy burra, të vendosur në dhoma të vogla.

Kryeinspektori i policisë, Garth Hall, deklaroi për LBC se hetimi nuk ishte përqendruar vetëm te trafiku i drogës, por kishte zbuluar dyshime edhe për vepra të tjera penale, përfshirë shfrytëzimin seksual dhe përdorimin e adresave të personave vulnerabël për të ruajtur drogë dhe para.

Sipas tij, hetuesit po punojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të dyshuar dhe për të identifikuar individët që mund të jenë shfrytëzuar nga grupi.

Ai theksoi se përgjegjësia e policisë nuk kufizohet vetëm te sekuestrimi i lëndëve narkotike, por përfshin edhe mbrojtjen e personave vulnerabël dhe ndërhyrjen në rastet kur evidentohen vepra penale.

Hetimi zgjati dy vjet, policia ndoqi gjurmët e grupit

Sipas LBC-së, hetimi nisi nga informacionet e mbledhura nga efektivët lokalë gjatë kontrolleve dhe ndalimeve në rrugë.

Për rreth dy vjet, ekipe të specializuara policore punuan për mbledhjen e provave dhe identifikimin e personave që dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin kriminal.

Operacioni përfundoi me një tjetër kontroll në Hounslow, rreth orës 08:30 të mëngjesit. Në hyrje të një banese, policia gjeti një qese të madhe transparente me kanabis, të vendosur brenda një çante rrobash.

Hetuesit dyshojnë se lënda narkotike mund të ishte lënë aty gjatë natës nga një person tjetër.

Në total, operacioni përfundoi me 10 arrestime, ndërsa policia sekuestroi rreth 30 mijë paund para të gatshme, disa automjete, armë të ftohta dhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e plota të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.