TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një përplasje e fortë mes një skafi të dyshuar të trafikantëve të drogës dhe një anijeje patrulluese të Gardës Civile spanjolle ka lënë disa efektivë të plagosur lehtë në grykëderdhjen e lumit Guadalquivir, pranë Kadizit, në Spanjë. Mes pesë personave të arrestuar pas ndjekjes është edhe një shtetas shqiptar.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 22 tetor, rreth orës 13:30, gjatë një operacioni kundër trafikut të drogës. Efektivët e Shërbimit Detar të Gardës Civile në Kadiz zbuluan dy skafe që po transferonin bidona me benzinë, një metodë e përdorur për furnizimin me karburant të mjeteve të shpejta që transportojnë drogë.
Kur vunë re praninë e anijes patrulluese “Río Guadalmedina”, njëri prej skafeve u largua me shpejtësi. Gjatë ndjekjes, mjeti i dyshuar u përplas qëllimisht me anijen e policisë, duke shkaktuar dëme të dukshme strukturore. Disa efektivë pësuan kontuzione të lehta, por vijuan ndjekjen deri në kapjen e pesë personave pranë brigjeve të Huelvës.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, mes të arrestuarve janë dy banorë të Algecirasit, një person nga Gjibraltari, një shtetas shqiptar dhe një shtetas kolumbian.
Pas operacionit, të dyja mjetet lundruese u dërguan në portin e Chipionës, ku do të vlerësohet shkalla e dëmtimeve të anijes patrulluese, përfshirë ato në sistemin e ventilimit.
Alarm për furnizimin me karburant të rrjeteve të drogës
Ngjarja vjen në një kohë kur autoritetet spanjolle po përballen me aktivitet të shtuar të rrjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në brigjet e Andaluzisë. Furnizimi me karburant në det të hapur është një pjesë e rëndësishme e logjistikës së këtyre grupeve, pasi u mundëson skafeve të qëndrojnë për periudha të gjata në det pa u kthyer në port.
Një tjetër operacion i zhvilluar në zonë, i koduar “Gualín”, përfundoi me 13 të arrestuar dhe sekuestrimin e rreth 30 mijë litrave benzinë, që dyshohet se do të përdoreshin për furnizimin e skafeve të lidhura me trafikun e drogës në provincat e Kadizit dhe Malagës.
Sipas hetimeve për këtë operacion të veçantë, organizata e dyshuar kishte një strukturë të organizuar për magazinimin dhe shpërndarjen e karburantit, duke përdorur automjete dhe prona të ndryshme. Katër prej të arrestuarve u dërguan në burg.
Ndërkohë, rasti i fundit ka rikthyer shqetësimin për rreziqet me të cilat përballen efektivët gjatë ndërhyrjeve kundër këtyre rrjeteve. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të arrestuar dhe lidhjet e mundshme me organizatat e trafikut të drogës.