AKTUALITET, 11 Prill 2018, 15:04

Llalla: Donald Lu më kërkoi arrestimin e Ilir Metës (Dokumentet e Kongresit Amerikan)

Nga Dorian Kodra

Adriatik Llalla e ka pranuar publikisht se Donald Lu i kërkoi arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion, por asnjëherë nuk e ka thënë se kush ishte ky politikan.

Në Opinion, Llalla tregoi historinë e takimit privat që pati me ambasadorin në zyrë, tha se i ishte bërë presion për Bankers Petroleum, e quajti sorosist, e akuzoi për shantazh por emrin e politikanit të shënjestruar nga ambasada amerikane e mbajti për vete.

Pyetjes nëse ky politikan ishte Sali Berisha, Llalla nuk i dha përgjigje, duke lënë hapësira për aludime.

Por emrin e politikanit që iu kërkua të arrestohej nga ambasada amerikane, ish Prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri.

Lapsi.al zbuloi një letër të Adriatik Llallës të publikuar në Maj të vitit 2017 në faqen e internetit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.

Në letrën e Llallës, dërguar Kongresit, shkruhet: “…Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm arrestimin e Ilir Metës, kryetar i Parlamentit dhe njëkohësisht kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vlerësimin e z. Lu, Kryeparlamentari Meta ishte i korruptuar dhe po bllokonte Reformën në Drejtësi”.

Arrestimi i tij (sipas Lu) mund të ndihmonte Shqipërinë për t’u integruar në Bashkimin Europian, thotë Llalla, i cili vijon më tej, duke shpjeguar qëndrimin e tij: “Kjo kërkesë, tërësisht e papërgjegjshme, detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të ndërpriste takimin, duke u shprehur se arrestimi i çdo njeriu, përfshirë edhe zyrtarët, mund të bëhet vetëm në bazë të provave”.

Debati duket se ka qenë i ashpër, pasi Llalla, në letrën drejtuar Kongresit, shkruan: “Prokurori i Përgjithshëm theksoi se kërkesa (e ambasadorit) ishte jo logjike dhe se, arrestimi i zyrtarëve të lartë, pa prova, rrezikon të sjellë destabilitet politik dhe social”.

Pjesa më e rëndë e këtij komunikimi vjen më poshtë, sipas përshkrimit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. “Përballë këtij qëndrimi (të prokurorit të përgjithshëm), Ambasadori Lu u shpreh se destabiliteti i mundshëm i Shqipërisë nuk përfshihej në prioritetet e tij”.

Në nëntor, Adriatik Llalla u zëvëndësua në detyrë me Arta Markun dhe fill pas kësaj ish kryeprokurorit, iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen.

Vendimi i firmosur nga ish sekretari i shtetit, Rex Tillerson u kontestua nga Llalla që akuzoi ambasadorin Lu se gënjeu departamentin e shtetit./Lapsi.al

Ambasadori amerikan në Tiranë ka reaguar pas publikimit në lapsi.al të letrës së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla i cili shprehej se Donald Lu i kishte kërkuar në vitin 2015 arrestimin e Ilir Metës. Në një reagim, diplomati amerikan shprehet se Llalla gënjen dhe se ai është një zyrtar i korruptuar që rrezikon të shkojë në burg.

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe i diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për tu habitur që ai vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.

Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendtit, Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga z.Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar” – thotë Lu në reagimin e tij.