TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Aktorja e njohur, Ema Andrea ka bërë një rrëfim të ndjerë për të vëllain e saj binjak, Enea Andrea, ish-basketbollistin që u nda nga jeta pak muaj më parë pas një arresti kardiak. Humbja e të vëllait, ka lënë një boshllëk të madh tek aktorja, që ajo e përshkruan si humbjen e gjysmës së vetes së saj.
E përlotur, Ema tregoi se viti që lamë pas nuk u mbyll mirë për të dhe se tashmë jeta e saj ka marrë një tjetër dimension. “Kam humbur gjysmën time,” shprehet ajo për ndarjen nga jeta të të vëllait, duke e quajtur këtë një nga ato “dhurata” të hidhura që të vendos përballë Zoti.
“Mua nuk më është mbyllur mirë 2025. Normal që nuk është e mirë as 2026. Kam humbur gjysmën time. Janë ato dhurata e hidhura që bën Zoti. Për momentin jetoj në dy dimensione, uroj që kjo mos të ndikojë në punë. Është dita e parë e punës, dalja ime e parë mediatike dhe s’mund të ishte në një vend tjetër veç se këtu. Edhe pse e kam thënë me dy mendje “Po”, kur erdha dhe u takuam, u dakordësova me veten që të jem këtu dhe vetëm këtu mund ta filloja. Nuk është mirë të flasim për gjëra të tilla, sepse janë delikate, por edhe për elefantin në dhomë, nuk mund të rrimë pa folur. Edhe pse kjo humbje e gjysmës time më të mirë, mua më ka sjellë shumë bekime, kam parë shumë dashuri nga njerëz që nuk i njoh, nga njerëz që i njoh.”, theksoi ajo për emisionin “Goca dhe Gra”.
Aktorja thekson se dhimbja nuk njeh rregulla. Ajo nuk ka etikë, moral apo fjalor. Nuk mund ta fshehësh, as ta zbukurosh, as ta negociosh. Është e zhveshur nga çdo filtër dhe kërkon vetëm të jetohet.
“Vëllai im është përcjellë si mbret. Dhe i them faleminderit të gjithë atyre që na kanë shkruar, janë munduar të na mbështesin në të gjitha format, edhe në rrugë. Sytë e atyre njerëzve që kanë pasur ndroje të na thonin dhe për hir të tyre dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të thënë faleminderit. Edhe pse e di që aty ka shumë njerëz të tjerë që kalojnë situata të rënda. Nga një forcë madhore që ne e dimë që ekziston, e dimë që është një fund, por s’jemi asnjëherë gati dhe përjetojmë dhimbje dhe mesa duket kuptimi i vetëm i dhimbjes është në të tilla momente. Të tjerat janë kalimtare. Ky është një moment që ke një ndjesi që është ekstremi i asaj tjetrës. Dhimbja s’ka as etikë, as moral, as fjalor. Kam zbuluar që as fjalët s’janë të duhurat”, shtoi ajo.