LIFESTYLE, 21 Prill 2022, 17:27

Elon Musk siguron 46 miliardë dollarë për të blerë Twitter

Elon Musk siguron 46 miliardë dollarë për të blerë

Elon Musk thotë se ka siguruar 46.5 miliardë dollarë që do t’i nevojiten për të blerë Twitter-in dhe po konsideron blerjen e aksioneve direkt nga investitorët për të marrë kontrollin e kompanisë së mediave sociale. Sipas mediave të huaja, Elon Musk ka bërë një njoftim në Komisionin e Tregut të Kapitalit.

Musk ka grumbulluar 25.5 miliardë dollarë borxh – përfshirë një hua 12.5 miliardë dollarësh kundrejt aksioneve të tij në Tesla – nga një grup bankash të udhëhequra nga Morgan Stanley, këshilltari i tij financiar. Javën e kaluar, Musk njoftoi një ofertë për të blerë kompaninë për rreth 43 miliardë dollarë.

Shefi ekzekutiv i Tesla-s thotë se është duke eksploruar atë që njihet si një ofertë tenderi për të blerë të gjithë aksionet. Sipas një oferte tenderi, Musk, i cili zotëron rreth 9% të aksioneve në Twitter, do ta çonte ofertën e tij drejtpërdrejt tek aksionarët e tjerë, duke anashkaluar bordin.

Por Musk nuk ka vendosur ende nëse do ta bëjë këtë. Dokumentet thonë se Twitter nuk i është përgjigjur propozimit të Musk. Javën e kaluar bordi i Twitter-it miratoi një “pilulë helmuese” mbrojtëse, si një përpjekje për të parandaluar miliarderin që të rrisë aksionet në firmë.