AKTUALITET, 6 Maj 2019, 11:51

Lezha nën ujë, Çuçi në krah të Ndreut jep premtimin, "masakrohet" nga qytetarët: Pse gënjen


Ministri i Bujqësisë Blendi Çuçi ka deklaruar një ditë më parë se rreth 1300 hektarët tokë në zonën e Lezhës nuk do të rrezikohen më nga përmbytjet pas rehabilitimit të kanalit kullues të Zejmenit në zonën e Tales.

“Rreth 1300 Ha tokë në zonën e Lezhës nuk do të rrezikohen më nga përmbytjet pas rehabilitimit të kanalit kullues të Zejmenit në zonën e Tales.

Me kolegun dhe kryebashkiakun e ardhshëm, Pjerin Ndreu, pashë nga afër punimet e këtij investimi të nisur dy muaj më parë. Ndërhyrje të tilla do të nisim së shpejti edhe në pjesë të tjera të shtratit të Drinit, për të evituar çdo përmbytje të mundshme. Prioritet do të kenë zonat që konsiderohen më emergjente.", u shpreh ministri.

Por nga ndjekësit nuk kanë munguar edhe komentet ndaj Çuçit, pasi ky i fundit ka publikuar edhe një foto ku shfaqet me kandidatin e PS-së për Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreun.

Një qytetar është shprehur ndaj ministrit se nuk bëhet politikë duke gënjyer për gjithçka. Ai thekson se kanali është pastruar në 2017 por atë si traktorist e kanë larguar edhe nga puna.

Theksojmë se sot Lezha është nën ujë me vetëm pak ditë shi. Mësohet se janë bllokuar kanalizimet dhe siç shihet në fotot e mëposhtme uji është mbledhur në hyrjet e pallateve dhe njerëzit kanë ngelur të izoluar.