AKTUALITET, 18 Dhjetor 2018, 20:13

Letra e Donald Trump për Thaçin, reagon Haradinaj: Është një lajm i mirë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar pas letrës së presidentit amerikan Donald Trump për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Haradinaj thotë se letra e presidentit amerikan është një lajm i mirë pasi SHBA që në fillim ka qenë përkrahësja e shtetit të Kosovës.

“Letra e Presidentit Trump është lajm i mirë për shtetin dhe popullin e Kosovës. ShBA që nga fillimi ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahësja më e fuqishme e shtetit të Kosovës, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës mbështes fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.

Në letrën e Trump për Thaçin, presidenti amerikan shprehej për një marrëveshje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij tani është shansi historik.