E gjithë bota e futbollit është tronditur sot nga lajmi i kobshëm se është ndarë nga jeta Diego Armando Maradona, një legjendë e këtij sporti dhe një personazh që ka bërë gjithmonë të flasë për të. Të shumta kanë qenë figurat e këtij sporti që kanë shkruar mesazhe ngushëllimi për të nëpërmjet rrjeteve sociale e një nga më domethënësit është pikërisht ai i Lionel Mesit, të cilin shumëkush e ka krahasuar me “Pibe D’Oro” apo e ka cilësuar pasardhësin e tij.
“Një ditë shumë e trishtë për të gjithë argjentinasit dhe për futbollin. Ai na la, por nuk largohet, pasi Diego është i përjetshëm. Më mbeten të gjitha momentet e bukura që kam jetuar me të. Dua të përfitoj nga ky rast që të shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe miqve të tij”, shkruante Mesi në rrjetet sociale duke kujtuar Maradonën.
“Pleshti” ka qenë pjesë e përfaqësueses së Argjentinës në vitet kur ajo drejtohej nga Maradona dhe gjatë Botërorit 2010 krijoi në lidhje të ngushtë me legjendën e futbollit botëror i cili nuk e ka fshehur asnjëherë se e shihte Mesin pikërisht si lojtarin që i afrohej më shumë asaj që kishte dhuruar ai në fushën e lojës.