SPORT, 27 Maj 2020, 21:42

Leipzig nuk shfrytëzon hapin fals të rivalëve, vetëm barazim ndaj Herthës së Berlinit

Leipzig nuk shfrytëzon hapin fals të rivalëve, vetëm barazim

Leipzig nuk ka arritur të përfitojë nga ndalesat e Bayer Leverkusen dhe Borussia Monchengladbach, për të blinduar pozitat në zonën Champions të renditjes, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim spektakolar 2-2 përballë Herthës së Berlinit.

Në “Red Bull Arena” të Leipzigut u zhvillua një ndeshje mjaft interesante, që nisi menjëherë me gol për miqtë nga kryeqyteti, të cilët zhbllokuan rezultatin në minutën e nëntë me anë të mesfushorit serb Marko Grujic.

Reagimi i vendasve në drejtuar nga Naggelsman ishte mjaft i mirë dhe në minutën e 24-t ishte mbrojtësi Klosterman që arriti të rikthejë baraspeshën, ndërsa me shifrat 1-1 u mbyll edhe pjesa e parë e takimit.

Në minutën e 63-të Halstenberg mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Leipzig me një lojtar më pak në fushë, por vetëm 5 minuta më vonë ishte sulmuesi çek Patrick Schick, që u dha avantazhin vendasve.

Miqtë nga Berlini provuan gjithçka për të shmangur humbjen dhe kur kishin mbetur 8 minuta nga fundi i lojës, fituan një penallti të cilën e shndërroi në gol ish sulmuesi i Milanit, Piatek, ndërsa rezultati 2-2 mbeti në fuqi deri në vërshëllimën finale të arbitrit.