TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka organizuar sërish një dëgjesë publike për Teatrin Kombëtar, por kësaj here me arkitektë dhe urbanistë. Veliaj ishte sërish moderatori i kësaj mbledhje dhe çdo fjalë të të ftuarve, e shoqëronte me ironi për protestuesit që i dalin përballë, sa herë ai shpalos projektet për kullëzimin e Tiranës dhe jo vetëm.
Veliaj ka shpërthyer ndaj protestuesve, të cilët i quan "mitomanë" dhe një "cirk shëtitës", që është kundër çdo pune që ai bën në Tiranë.
"Unë jam akoma në gjyq, me disa nga këta personazhet që i bashkohen çdo proteste. Po të shikosh, është I njëjti grup, grupi i këndit të lodrave, ka uzurpuar dhe teatrin, tjetër gjë që faturën e paguan një parti politike për LED-in dhe foninë. Është i njëjti grup, ekziton një cirk shëtitës, mitomanësh, në Shqipëri, të cilët, në çdo event thonë se janë shoqëria civile. Po prit, se janë 40 mijë organizata, ti je vetëm tre. Edhe për plehrat, edhe për qentë, edhe për lodrat, edhe për bulevardin, edhe për asbestin te pazari i ri, kështu që është shumë e rëndësishmë të dallojmë çfarë është muzikë dhe çfarë është zhurmë."
Veliaj ka thumbuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike, duke përmendur sërish sulmin me vezë që i bënë disa të rinj para pak ditësh. Duket se këto vezë që i janë vërtitur përpara fytyrës, Veliaj i ka përjetuar shumë keq, sepse në çdo diskutim, nuk harron ti përmendë, madje në këtë rast ka treguar edhe origjinën e të riut që hodhi vezët drejt tij.
Mbaj mend këndin e lodrave, u bë si kalaja e Rozafës, prish ndërto, prish ndërto. Atëherë vinin me autobuzë nga rrethet për të prishur këndin e lodrave të fëmijëve në Tiranë. Si para ca ditëve, vjen ai tjetri nga Mamurrasi me vezë dhe ti thua, pres kokën po ka ik ndonjëherë ai në teatër, ose tani që mbarove me vezët, ma thuaj çik ku është teatri? Se di fare. Po nejsë këto janë muhabete të tjera, kur e ke kryetarin pulë, me vezë do merresh."
Në këtë dëgjesë fokusi i kryebashkiakut duket se ka qenë delegjitimimi dhe baltosja e aktivistëve që protestojnë kundër tij dhe vezët e hedhura nga të rinjtë e PD-së. Edhe pse Veliaj është munduar të tregojë se nuk shqetësohet nga këto ngjarje, një shprehje e urtë popullore thotë se "gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi"!
/TPZ.AL/