AKTUALITET, 27 Dhjetor 2017, 10:33

‘Lala’ i Elbasanit rreshton në koalicion të gjerë, PS-PD-LSI

‘Lala’ i Elbasanit rreshton në koalicion të gjerë,

Pikërisht njeriu më i atakuar nga opozita e sotme e bashkuar, PD-LSI, si blerës votash dhe kapo i një klani kriminal, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, ka bërë “mrekullinë” në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak.

Ndryshe nga bashkitë e tjera të mëdha si ajo e Durrësit dhe Tiranës ku Dakos i janë dashur të devijojë 4 vota të LSI-së dhe Erion Veliaj vetëm një po nga e njëjta forcë, Sejdini në Elbasan ka mundur ta kalojë buxhetin me unanimitet të plotë të votave të të gjithë këshilltarëve.

Në pamje të parë ku koalicion I gjerë ndërkohë që udhëheqjet e partive janë në një fazë përplasje radikale është arritur “me vështirësi” sipas njoftimit të vetë bashkisë Elbasan në faqen e saj në Facebook.

“Kjo është arritur në mbledhjen e dytë të Këshillit Bashkiak , ndërsa herën e pare,  këshilltarët e Djathtë do të kërkonin më tepër kohë , për tu njohur me Projekt-Buxhetin e vitit të ardhshëm. Pikërisht në këtë mbledhje , ku votimi i Buxhetit u spostua në një mbledhje të dytë , kreu i Bashkisë Qazim Sejdini, ka mirëkuptuar kërkesën e grupit të këshilltarëve të PD-së dhe e ka konsideruar të drejtë kërkesën e tyre”, thuhet në këtë njoftim.

Mbledhja e sotme, me praninë e të gjithë këshilltarëve, ka vazhduar me diskutime të shumta rreth pikave më nevralgjike të Projekt-Buxhetit. Në emërues të përbashkët ka qene sensi i diskutimeve, lidhur me shqetësimet qytetare dhe për të administruar sa më mirë fondet e parashikuara në dobi të komunitetit të madh të kësaj Bashkie.

Më së shumti, sugjerimet kanë qenë nga këshilltarët e Djathtë, të cilat janë mirëpritur nga kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini.

Pas kësaj grupi i këshilltarëve të Djathtë ka kërkuar edhe një pushim të shkurtër, për tu mbledhur veçmas në lidhje me vendimin që do të merrte për votimin ose jo të Projekt-Buxhetit. Seanca e dytë e mbledhjes së Këshillit Bashkiak ka nisur direkt me fjalën e përfaqësuesit  të grupit të këshilltarëve të PD-së, Gent Isaj.

“Në mbledhjen,  që sapo bëri grupi i këshilltarëve, që përfaqësoj dhe pasi u njoh nga afër me detajet e këtij Projekt-Buxheti, ne japim votën tonë, pa asnjë kundër për miratimin e këtij Projekt-Buxheti”- ka deklaruar Gent Isaj.

Në fund të gjithë në rresht, PS-PD-LSI, kanë votuar në unanimitet kurse “Lala” duartrokiste koalicionin e gjerë që kishte arritur të bënte në Elbasan./Syri.net