AKTUALITET, 6 Prill 2020, 21:20

Kryeministri Boris Johnson futet në terapi intensive, përkeqësohet gjendja e tij

Kryeministri Boris Johnson futet në terapi intensive,

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është futur në terapi intensive.

Gjendja e tij është përkeqësuar gjatë qëndrimit në spital

Ditën e djeshme u njoftua se Johnson ishte shtruar në spitalin "St Thomas' ", duke qenë se, pas dhjetë ditësh i infektuar me koronavirus, nuk kishte asnjë përmirësim dhe se vijonte të kishte temperaturë të lartë. Downing Street njoftoi se Johnson do të kryente disa teste dhe se shtrimi në spital ishte "një masë paraprake".

Por, gjendja shëndetësore e kryeministrit, është përkeqësuar që prej mbrëmjes së djeshme.

Pas trajtimit me oksigjen, mjekët e kanë parë të nevojshme, që kryeministri të futet në terapi intensive, e cila rezervohet për pacientët që janë në gjendje më të rëndë dhe më të rrezikuar nga koronavirusi. Në terapi intensive gjenden edhe respiratorët, të nevojshëm për rastet më kritike, kur virusi ka prekur mushkëritë.

Një zëdhënës shpjegoi lëvizjen e kryeministrit drejt terapisë intensive dhe tha  se ai po merr trajtim ekselent.

"Gjatë kësaj pasditeje, gjendja e kryeministrit u përkeqësua dhe duke ndjekur këshillën e stafit mjekësor, ai është çuar në terapi intentive. Kryeministri po merr një trajtim të shkëlqyer dhe falenderon stafin e NHS [shërbimi shëndetësor], për punën dhe dedikimin e tyre të madh".

Dominic Raab është tashmë duke zëvendësuar kryeministrin, por zyrtarisht Johnson vijon të jetë në drejtim të qeverisë dhe task forcës së koronavirusit.

Në Britani, ka debate të shumta lidhur me aftësinë e kryeministrit për të vijuar të kryejë detyrat e tij dhe për këtë arsye, nëse gjendja e Johnson vijon të përkeqësihet, pritet të ketë zhvillime lidhur me këtë çështje.

/TPZ.al/