BALLKAN, 8 August 2026, 13:33

Kurti: I kemi votat për kryeparlamentarin, por pa marrëveshje për presidentin shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës se, ndonëse partia e tij i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e një kryeparlamentari të ri, konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit rrezikon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Kurti theksoi se zgjidhja, sipas tij, duhet të vijë përmes një marrëveshjeje mes liderëve të partive parlamentare, e cila do të garantonte konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

“Prandaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje dhe liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes u bëri sërish thirrje liderëve të partive politike që të ulen në tryezën e dialogut për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.

I pyetur edhe për incidentin në Kuvend, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, hodhi vezë në drejtim të tij, Kurti tha se nuk e konsideron këtë si shqetësimin kryesor.

“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se nëse incidenti është çmimi që duhet të paguajë për të nxitur liderët politikë të dialogojnë dhe të arrijnë një marrëveshje, është i gatshëm ta paguajë atë.