TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një turist i huaj, rreth 60-65 vjeç, është në kërkim nga policia greke pas një incidenti shqetësues të regjistruar në Agia Pelagia të Kretës, ku dyshohet se pyeti sa para duhej të paguante për një vajzë 10-vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur më 31 korrik dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë së një zyre shërbimesh turistike. Në ambient ndodhej një vajzë 10-vjeçare, e cila ishte ulur jashtë zyrës dhe po lexonte një libër.
Sipas raportimeve të mediave greke, burri hyri në zyrë dhe iu drejtua gruas që punonte aty. Në një moment, ai tregoi me dorë drejt vajzës dhe e pyeti: “Sa duhet të paguaj për vajzën?”, ndërsa shoqëroi fjalët e tij me gjeste me natyrë seksuale.
Gruaja reagoi menjëherë duke i thënë: “Çfarë janë këto që po thua?”, por, sipas raportimeve, burri vazhdoi duke e pyetur: “Sa do ti?”, duke përsëritur sërish gjestet.
Pronari i biznesit ka deklaruar për televizionin privat MEGA se burri kishte pyetur se sa para duhej të paguante “për të blerë vajzën e vogël”.
Gruaja e paralajmëroi se do të telefononte policinë, pas së cilës turisti u largua menjëherë nga biznesi. Kur policët shkuan në hotelin ku dyshohej se ai qëndronte, personi në fjalë ishte larguar.
Pamjet e kamerave nuk tregojnë ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë mes turistit dhe vajzës. Sipas autoriteteve, ai foli vetëm me gruan që ndodhej në zyrë, ndërsa 10-vjeçarja nuk duket se reagoi apo e pa.
Sipas burimeve policore, turisti nuk pati kontakt apo komunikim të drejtpërdrejtë me vajzën 10-vjeçare. Megjithatë, autoritetet vijojnë përpjekjet për identifikimin dhe gjetjen e tij, pasi ekziston shqetësimi se mund të shfaqë sjellje të ngjashme edhe ndaj fëmijëve të tjerë.
Policia thirri nënën e vajzës dhe gruan që ishte në biznes për t'i pyetur nëse dëshironin të bënin kallëzim, por të dyja vendosën të mos ndërmerrnin veprime ligjore.
Megjithatë, hetimet nuk janë mbyllur. Autoritetet po përpiqen të identifikojnë turistin përmes analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe gjurmimit të lëvizjeve të tij. Hetimet i çuan deri në një hotel ku dyshohej se kishte qëndruar, por deri tani ai nuk është identifikuar.
Biznesi ku ndodhi incidenti reagoi edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen “plotësisht të neveritshme”. Në postim thuhet se policia u njoftua menjëherë dhe se publikimi i rastit synon të ndërgjegjësojë prindërit për rëndësinë e sigurisë së fëmijëve.
Sipas autoriteteve greke, nuk përjashtohet mundësia që turisti të jetë larguar tashmë nga Kreta, ndërsa kërkimet për identifikimin e tij vazhdojnë.
Ndërkohë, mediat greke japin informacione të ndryshme lidhur me qëndrimin e familjes për ndjekjen ligjore të çështjes.