BALLKAN, 7 August 2026, 11:57

Incident i pazakontë! Zogu bllokohet në motorin e avionit, anulohet fluturimi drejt Gjermanisë

Një incident i pazakontë shkaktoi ndërprerje në aeroportin “Maqedonia” të Selanikut mbrëmjen e së enjtes, pasi një fluturim me destinacion Gjermaninë u anulua për arsye sigurie.

Rreth 150 pasagjerë që ishin planifikuar të udhëtonin në këtë fluturim u detyruan të prisnin për një kohë të gjatë në aeroport, derisa kompania ajrore i informoi për anulimin e nisjes.

Gjatë kontrollit teknik të avionit para fluturimit, u konstatua prania e një zogu në motor. Për shkak të rrezikut të mundshëm, autoritetet dhe ekipi teknik vendosën që avioni të mos ngrihej.

Pas zbulimit, u aktivizuan procedurat e sigurisë për heqjen e zogut dhe kryerjen e një inspektimi të plotë të motorit, në përputhje me protokollet e aviacionit.
Pasagjerët u njoftuan se fluturimi drejt Gjermanisë do të kryhet gjatë ditës së sotme, pasi të përfundojnë të gjitha kontrollet e nevojshme teknike.