AKTUALITET, 26 Shtator 2019, 12:03

Kultivuan kanabis, tetë në pranga, mes tyre dy policë

Kultivuan kanabis, tetë në pranga, mes tyre dy policë


SHÇBA në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestoi në Mallakastër dhe Kukës, dy punonjës policie dhe gjashtë persona të tjerë të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.

Drejtoria e Hetimit të SHÇBA-së organizoi dhe finalizoi operacionin “Kopshti i Skacajve”, ku u asgjësuan disa bimë narkotike, ndërsa kreu dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– Inspektor R.C. 58 vjeç, punonjës policie me detyrë ndihmës specialist i Policimit në Komunitet në Kukësit, për veprën penale të “Shpërdorim detyre”;

– H.Y., 64 vjeç, kryeplak i fshatit Piskë në Kukës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

– B.M., 58 vjeç, banor i fshatit Piskë, Njësia Administrative Shënmri, Kukës, për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.

Nga hetimet, rezulton se punonjësi i Policisë dhe kryeplaku i fshatit Piskë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra, kanë lejuar dhe garantuar autorët e dyshuar të kryejnë këtë veprimtari të kundërligjshme. Edhe pse dyshohet se kishin dijeni mbi kultivimin e narkotikëve, ata nuk kishin informuar autoritetet. Hetimet vijojnë në lidhje me implikime të tjera të mundshme.

Ndërkohë, dje në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Berat dhe Komisariatin e Policisë Mallakastër, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, në kuadër të operacionit “Gjerbës”, SHÇBA ekzekutoi vendimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për punonjësin e policisë, L. XH., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.