Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i kanë konfirmuar Top Channel se kryeministri Aleksis Tsipras do të kalojë festën e pashkëve në Korçë me ftesë të Edi Ramës.
Top Channel ka mësuar se tashmë konsiderohen të mbyllura marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje kanë dakortuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike. Burimet në Athinë thonë se pala shqiptare është zotuar për heqjen e termit “Çamëri” nga regjistri i gjendjes civile, kur bëhet fjalë për personat e lindur në fshatrat e zonës së Thesprotisë
Diplomatët e lartë grekë i thanë Top Channel se kjo çështje do të bisedohet në takimin privat familjar mes Tsipras dhe Ramës në Korçë, pak ditë përpara atij zyrtar që do të mbahet në Tiranë. Top Channel mësoi se kryeministri Tsipras ka pranuar ftesën e homologut të tij Rama për të kaluar së bashku me familjet e tyre, por edhe nën shoqërinë e ministrave Bushati dhe Kotzias, Pashkët Ortodokse, në datën 6-8 prill, ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar data e vizitës zyrtare të kryeministrit grek në Tiranë, ku më e mundshme është përcaktimi i saj në 10-12 prill ose diku rreth fundit të prillit, nëse do të vendoset për firmosje të të gjithë marrëveshjeve të dakortuara.
Burimet thonë se në këtë takim të Korçës do të gjendet një zgjidhje në kuadër të asaj që quhet “Human Solution” për mospengimin me kufi të çamëve që dëshirojnë të vizitojnë vendlindjen e tyre, por edhe do të kërkohet një zgjidhje për këtë çështje, për të cilën pala greke thotë se nuk ekziston.
Top Channel