TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kazanët e plehrave në qytetin e Durrësit. Foto: Eriola Azizolli.
“Bashkia e Durrësit është në bisedime me qeverinë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin se ku do të depozitohen mbeturinat e bashkisë së Durrësit,” tha kjo e fundit. “Po kështu, bashkia e Durrësit i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vendpozitimin më të afërt me Durrësin,” shtoi ajo. Problemi i venddepozitimit të mbetjeve për bashkinë e Durrësit e ka origjinën në korrik 2018, kur Këshilli Bashkiak shpalli ‘emergjencës mjedisore’ dhe mandatoi ish-kryebashkiakun socialist Vangjush Dako për të negociuar një kontratë me kompaninë koncesionare të inceneratorit të Sharrës për të depozituar mbetjet e qytetit. Dy vjet më vonë, Dako nuk është më kryebashkiak, por bashkia e Durrësit dhe qeveria vazhdojnë të negociojnë për kostot e evadimit të mbetjeve, ndërkohë që opozita ngre zërin për keqadministrimin e qytetit. “Degradimi i Durrësit ka filluar që në vitin 2007, kur në krye të bashkisë u vu Vangjush Dako, së bashku me të dhe mafia e krimit,” deklaroi në një konferencë për shtyp, Ferdinand Xhaferri – kreu lokal i Partisë Demokratike në opozitë, i cili 13-vjet më parë humbi zgjedhjet ndaj ish-kryebashkiakut kontrovers socialist, të cilit i ndalohet hyrja në SHBA nga Departamenti i Shtetit për përfshirje në ‘korrupsion masiv’. Nga të gjitha dështimet e bashkisë, të cilat i kemi shprehur vazhdimisht, pastrimi i qytetit apo ‘mospastrimi” i qytetit është dështimi më i madh,” shtoi ai. Pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit Edi Rama në vitin 2013, strategjia e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri ndryshoi rrënjësisht, nga politika që nxisnin riciklimin në politika që favorizojnë incenerimin. Qeveria shqiptare lidhi tre marrëveshje koncesionare për ndërtimin e tre inceneratorëve, një në Elbasan, një në Fier dhe një tjetër në Tiranë; të treja të lidhura me administratorin misterioz Klodian Zoto dhe një seri kompanish të regjistruara në Mbretërinë e Holandës, një vend i Bashkimit Europian ku mund të regjistrohen lehtë kompani guaskë. Sipas një raporti auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, vetëm kontrata koncesionare për ndërtimin dhe inceneremin e mbetjeve në Tiranë shkon në 370 milionë euro. Në qoftëse kësaj kontratë do t’i shtohej dhe incenerimi i mbetjeve të bashkisë Durrës – sipas përllogaritjeve të BIRN të bazuara në tarifën e koncesionarit prej 30 eurosh për ton dhe sasinë e mbetjeve që prodhohen çdo vit nga kjo bashki, vlera e koncesionit të Sharrës rritet me të paktën 100 milionë euro. Nëse kostove të lidhura me incenerimin e mbetjeve të Durrësit dhe Tiranës i shtohen edhe kostot e ndërtimit të inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, kompanitë e lidhura me Klodian Zoton priten të përfitojnë një vlerë të përafërt me 500 milionë euro në 30 vitet e ardhshme nëpërmjet taksave dhe tarifave të taksapaguesve shqiptarë. Kreu vendor i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferri e lidh ndotjen e qytetit nga plehrat edhe me planifikimin e keq të investimit të parkut urban në fushën e depozitimit të mbetjeve në Porto Romano. “Është bërë një tender prej 15 milionë euro për ta kthyer fushën ku digjeshin mbetjet në Porto Romano në një Eco-Park,” u tha ai gazetarëve të hënën. “Ndërsa janë lëvruar paratë për të ndërtuar Eco Parkun, nuk ka para për të hequr mbetjet e shpërndara në fillim të sezonit turistik”, shtoi ai. Partia Demokratike ka mbështetur dhe protestat e banorëve të Manzës kundër depozitimit të mbetjeve urbane të Durrësit. “ Bashkia në vend që të zgjidhte problemin, kërkoi vetëm që ta spostonte atë, duke i çuar mbetjet në Manëz, duke shkaktuar dhe atje ndotje,” përfundoi Xhaferri. Ndërkohë, tejmbushja e kontenierëve në Durrës ka ngritur alarmin midis qytetarëve dhe aktivistëve mjedisorë në Durrës. Magdalena Cara nga organizata mjedisore “Eco mjedisi” e cilëson si një situatë e paprecedentë. “Ngado që hedh këmbën, shikon vetëm plehra dhe rritja e temperaturave e bën çështjen dhe më problematike, pasi ndihet era e keqe nëpër rrugë,” tha Cara, e cila shtoi se kjo situatë vjen në prag të sezonit turistik dhe pas krizës së pandemisë së COVID-19 dhe tërmetit të 26 nëntorit. “Fundjava risolli tiranasit në Durrës si për fundjavë para tërmetit dhe COVID-19, por pamja që ofron qyteti nuk është e duhura, ndaj dhe si qytetarë kjo pjesë na dhëmb,” shtoi ajo. Edhe për pensionistin Flamur Bakiu, emergjenca mjedisore e sjellë nga mbetjet është e tepërt për Durrësin, duke marrë në konsideratë që qyteti bregdetar është goditur gjatë vitit të fundit nga kriza të njëpasnjëshme. “Frika nga tërmeti akoma nuk na kishte ikur, kur doli pandemia. U kyçëm brenda shtëpive për javë të tëra. Tani që po dalim, mirë maskat që s’i durojmë dot se të mbysin nga vapa, por duhet t’i mbajmë se jemi pleq, po erën e plehrave përse duhet ta durojmë,” tha 70-vjeçari. “Durrësin, vetëm Zoti mund ta ndihmojmë. Nuk po gjejmë qetësi, siguri, nuk jemi më të sigurt këtu,” përfundoi ai. / BIRN - Reporter.al/