AKTUALITET, 13 Tetor 2018, 13:06

Krimi jashtë kontrollit, Basha lë të hapur mundësinë e rikthimit të dënimit me vdekje

Krimi jashtë kontrollit, Basha lë të hapur mundësinë e

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka lënë të hapur mundësinë që në Shqipëri të rikthehet dënimi me vdekje.

Gjatë vizitës që zhvilloi te familjarët e tre viktimave të sulmit me armë në fshatin Shlli të Matit, Basha u pyet nga gazetarët për këtë çështje.

“Kjo është një çështje që u takon qytetarëve shqiptarë, unë personalisht jam i gatshëm që këtë pyetje t’ja shtroj popullit shqiptar, qoftë edhe si referendum, momentin që Partia Demokratike do të marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin”, deklaroi Basha.

Situata kriminale në vend është pothuajse jashtë kontrollit, me vrasje dhe plagosje që raportohen çdo ditë në të gjitha qytetet. Gjithsesi, mundësia e rikthimit të dënimit me vdekje është e vështirë për Shqipërinë për shkak të konventave ndërkombëtare që shteti ynë ka nënshkruar.

Dënimi i fundit me vdekje i regjistruar në Shqipëri është ai i vitit 1992 në Fier, ku dy vëllezër u varën në mes të qytetit pasi kishin vrarë gjatë grabitjes së një banese, 5 pjestarët e familjes, përfshi një foshnje.

Por Shqipëria që nga viti 1995 kur u bë anëtare e Këshillit të Europës nuk ka dhënë dënime me vdekje dhe për veprat më të mëdha penale vendimi është shndërruar në “burgim të përjetshëm”. Ekzekutimi i fundit është ai i vitit 1992 në Fier, ku dy vëllezër u vranë në mes të qytetit pasi kishin vrarë kur po grabisnin brenda në shtëpinë e viktimave, 5 pjestarë të një familje, përfshi një foshnje.

Heqja globale e dënimit me vdekje është një nga objektiva kryesore të politikës së të drejtave të njeriut të BE-së.

Në vitin 2013, Ministrat e Jashtëm të 42 vendeve të botës, përfshirë dhe Shqipërinë, firmosën deklaratën kundër dënimeve me vdekje, por aktualisht 52 shtete kanë ende në fuqi ligjin e ekzekutimeve.

Bjellorusia është shteti i vetëm në Europë që ka në fuqi dënimin me vdekje. Ndër 52 vendet, përfshihen edhe katër vende të industrializuara që vijojnë ende të ekzekutojnë kriminelët: SHBA, Japonia, Singapori dhe Tajvani.