AKTUALITET, 27 Mars 2020, 14:20

Koronavirusi, Presidenti i Institutit të Shëndetit në Itali: Nuk e kemi arritur ende kulmin e pandemisë

Koronavirusi, Presidenti i Institutit të Shëndetit në Itali: Nuk


Edhe pse për katër ditë numri i të infektuarve në Itali pati një ulje dje, numri i të prekurve nga koronavirusi u rrit sërish.

Por sidoqoftë, shpejtësia e përhapjes së virusit është në rënie. Aktualisht, janë raportuar 62 013 të infektuar në Itali, me një rritje prej 4492 rastesh të reja duke e çuar totalin e të prekurve, përfshirë viktimat dhe të shëruarit, në mbi 80 mijë.

Numri i viktimave sipas të dhënave të fundit ka shkuar në 8215, 712 më shumë në krahasim me të mërkurën.

Sipas ekspertëve, tashmë është i afërt kulmi i epidemisë së koronavirusit në Itali. Por rritja e 24 orëve të shkuara, vjen sipas tyre për shkak të shtimit të numrit të testeve të bëra.

Presidenti i Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, Silvio Brusaferro, në një konferencë për shtypin ka thënë se piku i pandemisë nuk është arritur akoma por pritet këto ditë.

“Nuk e kemi arritur ende kulmin e të infektuarve.

Kemi shenja të ngadalësimit të cilat na bëjnë të supozojmë se jemi afër. Këto shenja janë pozitive ç’ka na bën të mendojmë se masat e marra po japin efektet e tyre.

Të prekurit janë në rënie dhe presim që këto ditë të arrijmë dhe pikun e të infektuarve”- ka thënë Brusaferro.