AKTUALITET, 2 Qershor 2018, 22:28

Koncerti i Ermal Metës tregon se sa derdimen ka mbetur ky popull

Koncerti i Ermal Metës tregon se sa derdimen ka mbetur ky popull

Nga Ergys Mërtiri

Prania e madhe e njerëzve në koncertin e djeshëm të Ermal Metës është një lajm i keq që vetëm na tregon sesa derdimen ka mbetur ky popull.

Si mund të shkosh në një koncert të organizuar nga politika, për qëllime qartësisht dhe paturpësisht propagandistike, kur kjo politikë po ta nxin dhe vështirëson jetën çdo ditë, duke të varfëruar, përçudnuar, tallur e shpërfillur? Si mund të marrësh pjesë në ahengjet e një qeverisjeje që po e kthen gjithë kombin në emigrant potencial, duke mos mbetur më njeri me dëshirën të jetojë në atdheun e vet? Si mund të shkosh të zhgërryesh në cirkun e pushtetit, kur ai po ta bën jetën cirk me problemet që hap, ndërsa pushtëron me banda kriminelësh e trafikantësh, në mënyrën më të degjeneruar, të paparë ndonjëherë? Si mund të shkosh e të englendisesh në koncertet e shndërruara në fushatë elektorale nga një kryetar bashkie që po shkatërron me beton çdo resurs e çdo hapësirë të këtij qyteti duke ua vënë ato në shërbim oligarkëve, ndërsa po shtrydh me taksa, gjobëvënie, e mungesë shërbimesh çdo bulzë djerse të njerëzve që nuk merren me pisllëqe?

Po të jetë për dashurinë për artin, ky popull ka dhënë prova që nuk ia ndjen. Në këtë vend kanë ardhur Ëitesnake, Deep Purple, apo qoftë edhe Zucchero, nëse muzika italiane është më pranë shijeve të këtij publiku, dhe as ia ka ndjerë kujt. Edhe argumenti se njerëzit kishin dalë për të mbështetur Ermalin për suksesin e tij, nuk qendron, për sa kohë as 200 vetë nuk dolën kur Eda Zari dhe Elina Duni, muzikante shumë herë më të mira dhe të suksesshme se Ermal Meta, mbajtën koncert në Tiranë, madje edhe me një mision dhe mesazh të rëndësishëm në dobi të të gjithëve: Mos ma prek Valbonën!

Pjesëmarrja në koncertin e Ermal Metës, përtej vlerësimit për të tij si artist, tregon vetëm sesa dele jemi. Jemi viktima të mjera të marketingut e propagandës, qenie me një paaftësi të thellë për të menduar dhe gjykuar mbi atë që bëjmë. Jemi veç një turmë e bindur dhe nënshtruar që tërhiqemi prej hunde dhe shkojmë nga të na dërgojnë ata që na shkelin me këmbë. Turremi si bagëti drejt këmborës që tundin reklamat pa ditur për ku dhe pse, ndërsa zgjedhim për barinj, pikërisht kasapët.

Bukë dhe cirk, ishte formula e vjeter romake për ta mbajtur popullin në hutim e nënshtrim. Jo vetëm që këta 2 mijë vjet nuk na kanë shërbyer për ta kuptuar sesi na e fusin, por përkundrazi, jemi idiotizuar më keq. Këta na kanë hequr edhe bukën dhe na gënjejnë vetëm me cirk.

Bravo iu qoftë!