AKTUALITET, 11 Dhjetor 2020, 12:25

Kolegu i policit që vrau Klodian Rashën: Ai thirri ‘armë’, iu afrova dhe më kërcënoi! Dëgjova zhurmën e mbushjes

Kolegu i policit që vrau Klodian Rashën: Ai thirri

Efektivi E.Gj., i cili ishte bashkë me Nevaldo Hadërajn në momentin e vrasjes së të riut Klodian Rasha, ka rrëfyer në gjykatë, se 25-vjeçari i ka kërcënuar.

Polici i Shqiponjave thotë se ka dëgjuar edhe një zhurmë të ngjashme me atë të mbushjes së armës së zjarrit.

“Duke ndjekur të riun dëgjova shokun që thirri armë. U vura në ndjekje, kur iu afrova të riut më kërcënoi. Pasi më foli shoku, dëgjova një zhurmë si mbushje arme.”-mësohet të jetë shprehur ai në gjykatë.

Sot ai ndodhej në seancën që u zhvillua për dhënien e masës së sigurisë, ku efektivi Nevaldo Hadëraj u la në burg nga gjykata. Ngjarja e rëndë ndodhi tri ditë më parë në Laprakë, kur efektivi qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur për më pak se tre minuta.

Vrasja ka hapur një valë zemërimi dhe inati ndaj qeverisë, ku pas presionit nga protestat masive ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Qindra të rinj, të palidhur me asnjë parti politike, do të kërkojnë edhe sot largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu ndërsa nuk munguan as përplasjet me efektivët që ishin lënë në terren për të menaxhuar mbarëvajtjen e protestës.