AKTUALITET, 11 Dhjetor 2020, 11:52

Qytetarët sërish protestë në orën 18:00: Kërkojmë largimin e Ardi Veliut!

Në rrjetet sociale është shpërndarë një poster i cili njofton sërish protestë në orën 18:00.

Pas dorëheqjes së ministrit Sandër Lleshaj, tashmë ata kërkojnë largimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut.

Në poster shkruhet:

Kërkojmë largimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu; reformimin e policisë së shtetit dhe ndalimin e dhunës policore.

Sipas njoftimit protestuesit do të mblidhen në orën 18:00 para selisë së Kryeministrisë në Tiranë dhe në sheshin kryesor të çdo qyteti.

Protestat kanë shpërthyer pas vrasjes së të riut 25-vjeçar, Klodian Rasha nga efektivi i policisë.

Gjatë dy netëve protesta në Tiranë është shoqëruar me akte të shkatërrimit dhe përplasje me policinë, e cila është përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.