AKTUALITET, 27 Nëntor 2019, 19:31

Kolegji i Apelimit pushon çështjen e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari

Kolegji i Apelimit pushon çështjen e anëtares së

Kolegji i Posaçëm i Apelit ka vendosur të pushojë shqyrtimin e çështjes për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari.

Vendimi u mor sot pas tërheqjes së kërkesës nga ana e zonjës Xhaferllari, e cila kërkoi vlerësim edhe nga KPA-ja pas kaloi procesin e vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Xhaferllari ka humbur statusin e gjyqtares duke u emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese, dhe për pasojë nuk mund të vazhdojë procedurat.

Njoftimi i KPA:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relator, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.29/2019, datë 30.05.2019, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari, kundër vendimit nr. 115, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 4 pika 6 e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe në nenet 451 germa “b” e nenit 463 të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, vendosi:

Pushimin e shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari kundër vendimit nr. 115, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkak të tërheqjes së ankimit.

Të deklarojë marrjen e formës së prerë të vendimit nr. 115 datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.