AKTUALITET, 14 September 2026, 18:49

Divjaka nuk tërhiqet, kundërshton bashkimin me Lushnjën. Relacioni gati për Kuvendin

Këshilli Bashkiak i Divjakës ka vijuar përpjekjet kundër projektit për bashkimin e kësaj bashkie me Lushnjën. Komisioni i ngritur për hartimin e relacionit kundërshtues ka përfunduar punën e tij dhe ka nisur dëgjesat me qytetarët, për të mbledhur edhe argumentet e tyre përpara se materiali t’i paraqitet Kuvendit.

Dëgjesa e parë u zhvillua në Divjakë dhe u shoqërua me debate e tensione. Disa prej qytetarëve kërkuan që në takim të merrnin pjesë edhe deputetja e zonës, si dhe përfaqësues të grupit që ka hartuar projektin për reformën territoriale.

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, prezantoi relacionin e përgatitur nga komisioni, duke renditur argumentet që, sipas tij, mbështesin qëndrimin për ruajtjen e Divjakës si bashki më vete. Materiali pritet të përdoret në Kuvend gjatë shqyrtimit të propozimit për ndryshimin e hartës territoriale.

Edhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Eugen Verdho, deklaroi se qëndrimet e qytetarëve do të përfshihen në dokumentin që do të përcillet në Kuvend.

Në takimin me banorët, kundërshtimi ndaj bashkimit me Lushnjën ishte i përbashkët. Pjesëmarrësit kërkuan gjithashtu mbështetje më të madhe për protestën që vijon prej 45 ditësh, duke kërkuar përfshirjen e administratës, fermerëve dhe bizneseve në kundërshtimin e projektit.

Dëgjesat publike do të vijojnë në ditët në vazhdim edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Divjakë.