AKTUALITET, 4 Gusht 2021, 19:25

 KLSH ‘zbarkon’ në institucionet e Emergjencave Civile, do të auditohen tenderimet për blerjen e pajisjeve

 KLSH ‘zbarkon’ në institucionet e Emergjencave Civile, do

Nis tashmë zyrtarisht kontrolli i KLSH në të gjitha institucionet që janë pjesë e procesit të emergjencave.

Audituesit kanë nisur mbledhjen e dokumentacioneve në drejtorinë e përgjithshme të emergjencave civile si dhe hallka të tjera të Ministrisë së Brendshme që lidhet me emergjencat civile, në ministrinë e mbrojtjes si dhe ato të pushtetit vendor.

Sipas burimeve të Balkan Web, me urdhër të kryetarit të KLSH, Arben Shehu, do të auditohen të gjitha tenderimet e viteve të fundit për blerjen e pajisjeve të emergjencave.

Ky kontroll nisi pas zjarreve të fundit ku pati akuza të shumta se punonjësve ju mungonin pajimet bazë.

Nisja e këtij kontrolli pati një bllokim nga ana e strukturës së emergjencave qendrore civile pasi drejtori ishte me pushime, duke shkaktuar dhe një reagim nga kreu i KLSH Arben Shehu i cili i bëri thirrje për rikthim në punë.

Pas rikthimit një ditë më parë ka nisur kontrolli edhe në këtë institucion.

Gjithashtu, KLSH do të auditojë dhe verifikojë në ministrinë e brendshme, ministrinë e mbrojtjes si dhe pushtetin vendor, të gjitha pajisjet që janë në dispozicion për raste emergjencash si ajo që po përjeton aktualisht vendi.