TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 39-vjeçar me origjinë nga Kosova, i dënuar për rreth 50 vepra penale në Britani, ka arritur të bllokojë dëbimin e tij drejt Kosovës, pasi një gjykatë emigracioni vlerësoi se kthimi i tij mund ta ekspozonte ndaj rrezikut të keqtrajtimit për shkak të përkatësisë rome dhe statusit të pasigurt të shtetësisë.
Bëhet fjalë për Avdi Alijan, i cili mbërriti ilegalisht në Britani në moshën 14-vjeçare, pasi në vitin 2002 udhëtoi i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Sipas vendimit gjyqësor, gjatë viteve të qëndrimit në Britani, Alija krijoi një rekord të gjatë kriminal, me rreth 50 vepra penale. Mes tyre përfshihen vjedhje, grabitje, posedim kokaine, si dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur ose nën efektin e drogës.
Dënimi për pengmarrjen
Sipas raportimit të “Daily Mail”, të cilit i është referuar Top Channel, Alija ishte dënuar edhe për përfshirjen në një pengmarrje në vitin 2018.
Sipas dokumenteve të çështjes, ai ishte pjesë e një grupi që mori me forcë një person, e futi në një automjet nën kërcënimin e thikës dhe më pas e mbajti të izoluar në banesën e Alijas.
Viktima u mbajt peng për rreth katër orë e gjysmë, gjatë së cilës u dhunua dhe u kërcënua se do të goditej me thikë dhe se do t’i hidhej ujë i valë nëse nuk paguante 50 mijë paund.
Ai arriti të arratisej duke thyer një dritare dopio-xham dhe duke u hedhur nga kati i dytë.
Gjykata vlerësoi se Alija kishte luajtur një rol të rëndësishëm në pengmarrje, pasi kishte lejuar që banesa e tij të përdorej si vend ku viktima mbahej i burgosur.
Për këtë ngjarje, ai u dënua me nëntë vite burg për burgosje të paligjshme dhe një vit tjetër për plagosje të rëndë.
Britania urdhëroi dëbimin
Në mars të vitit 2022, ministrja e atëhershme e Brendshme britanike, Priti Patel, urdhëroi dëbimin e Alijas, duke e konsideruar atë një rrezik për komunitetin.
Alija e kundërshtoi vendimin në gjykatë, duke iu referuar mbrojtjes që ofron Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Apeli u shqyrtua sërish më 29 shtator nga gjyqtari i emigracionit Ian Boyes. Në këtë moment, Alija kishte përfunduar dënimin me burg dhe ishte liruar me kusht.
Gjykata mori parasysh përkatësinë e tij rome
Në shqyrtimin e çështjes, gjykata mori në konsideratë faktin se Alija kishte lindur në Kosovë nga prindër romë.
Sipas dëshmive të paraqitura gjatë procesit, prindërit e tij ishin vrarë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999, ndërsa shtëpia e familjes ishte shkatërruar.
Megjithatë, gjyqtari vlerësoi se Alija përbënte rrezik për komunitetin dhe për këtë arsye nuk mund të përfitonte nga mbrojtja e azilit sipas Konventës së Gjenevës.
Çështja u fokusua më pas te mundësia që dëbimi i tij në Kosovë të përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ndalon trajtimin çnjerëzor ose degradues.
Rreziku i diskriminimit dhe shfrytëzimit
Një ekspert i dëgjuar nga gjykata argumentoi se statusi i pasigurt i shtetësisë së Alijas, i kombinuar me përkatësinë e tij rome, mund ta ekspozonte ndaj diskriminimit, shfrytëzimit dhe abuzimit në rast kthimi në Kosovë.
Në vendimin e tij, gjyqtari theksoi se Alija konsiderohej praktikisht pa shtetësi dhe se përpjekjet për të përcaktuar shtetësinë e tij nuk kishin sjellë një zgjidhje.
Gjykata mori gjithashtu parasysh faktin se ai kishte jetuar në Britani që nga fëmijëria, si dhe rrezikun që, në rast dëbimi, të mbetej pa strehim dhe të ekspozohej ndaj shfrytëzimit.
Në përfundim, apeli i Alijas u pranua dhe urdhri për dëbimin e tij drejt Kosovës u bllokua.
Kështu, 39-vjeçari do të lejohet të qëndrojë në Britani, pavarësisht historikut të gjatë kriminal dhe dënimit për përfshirje në një pengmarrje.