AKTUALITET, 20 Shkurt 2018, 09:37

“Kërkoj lutjen tuaj për jetën e Noemit, si dashnia e vetme e mbetun e nanës”, mesazh rrëqethës nga Dom Vlashi

Një tragjedi ndodhi dy ditë më parë në Velipojë, ku si pasojë e përplasjes së makinës ku po udhëtonin, 3 prej anëtarëve të familjes Preka humbën jetën.

Kryefamiljari Edmond Preka nuk arriti ti mbijetonte plagëve bashkë me djalin e vogël 6 muajsh dhe vajzën 5 vjeçe.

Situata paraqitet e rëndë edhe për vajzën tjetër 10-vjeçe, Noemin, e cila mbahet në jetë nga aparaturat. Ndërkohë që jashtë rrezikut për jetën mbetet mamaja Evisa, e cila në momentin që është përmendur ka kërkuar djalin.

Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur jo vetëm Shkodrën, por gjithë Shqipërinë. Ka qenë Dom Vlashi nga Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër, i cili ka vizituar të afërmit e familjes që janë prekur nga tragjedia, i ka bërë lutje publike qytetarëve të luten për shpëtimin e jetës së Noemit të vogël, që po lufton me vdekjen, “si dashnia e vetme e mbetun e nanës’.

Postimi i plotë

“Shumë të dashtun e të nderum miq,

Sapo u ktheva nga Velipoja që kurrë nuk e pash ma ngusht, ma në zi e ma të plagosun.

Kërkoj lutjen Tuaj për jetën e Noemit 10 vjeç, që humbi baben, vëllain e vogël e motren, n’dashtë Zoti ta ruajë në jetë si dashninë e vetme të mbetun të nanës. Lutjen tuaj…, për gjithë atë popull të përlotun, të gjunjëzumë dhe në zemer të plagosun.

Kryqi i kësaj ngjarje peshon ma shumë se mund të mbajnë familjarët… Le të shpresojnë edhe njëhere se bijtë e saj, engjëjt e pafajshëm, nuk mund të treten në errësinë apo në asgja… por shpirti i tyne kjoftë i perqafumë nga krahët e mëshirshëm dhe të mirë të Zotit. Kurrë nuk do të dyshoj se Dashnia gjithmonë do të ngadhenjejë mbi vdekjen!”, – ka shkruar Dom Vlashi.