AKTUALITET, 19 Shkurt 2018, 23:15

“Po i falni zonat me naftë Greqisë”! Si i përgjigjet Ditmir Bushati akuzës…

“Po i falni zonat me naftë Greqisë”! Si i përgjigjet

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka folur sërish për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Në një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ai ka mohuar që të ketë aktualisht një akord konkret për këtë çështje përveç parimeve dhe ka mohuar që fqinjëve t’u jetë falur hapësire detare naftembajtese.

“Mbi bazën e çfarë konsiderate nisen këta njerëz? Mbi bazën e çfarë harte nisen këta njerëz? E para kur nuk ka një proces negocimi ende. E dyta ka studime që nga 84-ra dhe unë shpresoj që ata njerëz që kanë qenë në detyrë para nesh të paktën të kenë hedhur një sy këtyre studimeve të hartuara nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë” – kundërshton Bushati.

“2 vite pasi konventa mbi të drejtën e detit erdhi në jetë, kanë filluar diskutimet. Ka grupe pune të institucioneve shqiptare që në atë kohe e deri më sot. Ka njolla, po i quaj si të tilla, njolla në detin Jon ku përcaktohen qartësisht zonat potencialisht naftëmbajtëse. Prandaj po them, ky nuk është një proces që ka nisur sot” – thotë Bushati i cili premton se marrëveshja do të jetë më e mirë se ajo e vitit 2009.