SPORT, 23 Qershor 2020, 23:37

Kane rikthehet te goli, Tottenham fiton derbin londinez ndaj West Hamit

Kane rikthehet te goli, Tottenham fiton derbin londinez ndaj West Hamit

Vetëm tri ditë pas barazimit me Manchester United, Tottenham u rikthye te fitorja pasi mposhti me rezultatin 2-0 West Hamin në derbin londinez.

Të besuarit e Jose Mourinhos u shfaqën dominues që në fillim dhe krijuan një mori rastesh shënimi, por gardiani i West Hamit, Fabianski konfirmoi se ishte në një mbrëmje të mirë me diaa pritje vendimtare.

Në minutën e 45-të Hueng Min Son shënoi një gol të bukur, por arbitri e anuloi, pasi pamjet në VAR tregonin për një pozicion milimetrik jashtë loje, në momentin e marrjes së topit dhe kështu pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

“Spurs” shtuan presionin në pjesën e dytë dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 64-t, kur çeku Soucek devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së tij.

West Ham u përpoq të reagojë, por në momentin më të mirë, Tottenham goditi sërish, këtë herë me kundërsulm, ku kapiteni Harry Kane u shërbye nga Hueng Min Son dhe shënoi golin e dytë.

Me këtë tre pikësh Tottenhami ngjitet në vendin e 7 me 45 pikë dhe mban gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampionëve, ndonëse gara pritet të jetë e ashpër deri në javën e fundit.

Më herët, Leicester u ndal në shtëpi nga Brighton, teksa gjatë 90 minutave asnjë prej skuadrave nuk arriti të dërgojë sferën në rrjetë.