SPORT, 21 Qershor 2020, 22:49

Derbi i "Merseyside" pa gola, Everton dhe Liverpool ndajnë pikët

Derbi i "Merseyside" pa gola, Everton dhe Liverpool ndajnë

Derbi Merseyside mes Evertonit dhe Liverpoolit, përtej emocioneve që ofroi në fushën e blertë, nuk pati një fitues. Në “Goodison Park” kjo sfidë e javës së 30-të të Premier League-s u mbyll me rrjeta të paprekura, rezultat ky që kënaq më shumë skuadrën e Jurgen Kloppit, e cila pret vetëm matematikën për t’u shpallur kampione e Anglisë.

Për “The Reds” ishte e rëndësishme që kjo ndeshje e parë pas pauzës së gjatë të mos kishte pasoja fizike, por në të vërtetë James Milner u largua nga fusha që në pjesën e parë dhe Joel Matip u zëvendësua po i dëmtuar në minutën 72-të nga Dejan Lovren.

Evertoni e kërkoi më shumë suksesin, sidomos gjatë pjesës së dytë, por Tom Davies dhe Dominic Calvert-Lewin nuk i shfrytëzuan mundësitë që patën. Liverpooli më këtë pikë të fituar shkon +23 nga Manchester City, që pret në “Etihad” këtë të hënë Burnley-n.