TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dhjetëra qytetarë grekë, të afërm të ushtarëve të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore për të rënët e Luftës së Dytë Botërore, të mbajtur dje në varrezat e Këlcyrës dhe në Bularat.
Në këto ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit grek, si zëvendësministri i jashtëm, Andonis Dhiamataris, e ambasadorja greke, Sofia Filipidu. Në Këlcyrë ka 753 eshtra ushtarësh, 573 prej të cilëve u gjetën gjatë gërmimeve të kryera në Dragot gjatë dy viteve të fundit.
Ndërsa në Bularat mendohet të jenë eshtrat e rreth 300 ushtarëve. Familjarët e ekstremistit Kostandinos Kacifas, i vrarë një vit më parë, nuk u lejuan të marrin pjesë në ceremoni. Ata kishin përgatitur një banderolë me emrin e Kacifasit dhe datën e vrasjes 28 tetor 2018, por Policia i ndaloi të hyjnë në ceremoni me kërkesë të organizatorëve. Sipas motrës së Kacifas, kjo është dita e tij dhe Vorio-Epiri është tokë greke.
“Jemi grekë autoktonë. Kjo është tokë greke. Epiri dhe Greqia janë një. Këtu jetojnë grekë që nuk flasin gjuhë tjetër. Gjuha jonë e nënës është greqishtja. Jemi të krishterë ortodoksë. Këtë duam ta dëgjojë qeveria shqiptare. Populli nuk ka faj. Udhëheqësit duhet ta kuptojnë se këtu jetojnë grekë, vetëm grekë. Jo grekë dhe shqiptarë”, u shpreh Ermioni Kacifas në gjuhën greke.
Motra e Kostandinos ka kërkuar të zbardhet e vërteta, ndërsa e ëma ka shprehur dëshpërimin për mbështetjen e mohuar.
“Pse nuk u përmend këtu emri i Kostandinos? Nuk kemi të drejta. A nuk e sheh që askush nuk po na mbështet? Humbëm një trim, dha jetën e tij këtu për helenizmin, atdheun, patriotizmin”, tha Vasilia Kacifas. Thirrjeve të familjarëve “Kacifas jeton, ti na drejton” nuk i është bashkuar asnjë nga të pranishmit në ceremoni, duke vijuar rrjedhën e vet normale. Të afërm të ushtarëve të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.
Ceremonia e përvitshme përkujtimore në nder të kësaj dite, festë kombëtare e Greqisë, e njohur si ‘Jo’-ja greke (to megalo oqi) zhvendoset çdo vit edhe në Shqipëri, ku humbën jetën një numër i madh ushtarësh grekë gjatë luftimeve me forcat fashiste italiane.
Në ceremoninë që nisi në Këlcyrë morën pjesë të afërm të të rënëve të ardhur nga Greqia, ndërsa më pas aktivitetet e organizuara ditën e Festës Kombëtare të Greqisë vijuan në Bularat të Gjirokastrës, ku u vendosën kurora në varrezat e tjera të ushtarëve grekë.
573 eshtra të rënësh të ushtarëve grekë, të zbuluar në fushën e Sajmolës në Dragot, u varrosën në tetor 2018 në një ceremoni të veçantë në Manastirin e Këlcyrës pa praninë e familjarëve, çka nxiti pakënaqësinë e tyre. Më herët, 100 eshtra të zbuluara nga këto gërmime u varrosën në Bularat.
Në total, u zbuluan gjatë këtyre gërmimeve rreth 1100 eshtra ushtarësh grekë të rënë gjatë luftës italo-greke, edhe pse pretendimet e palës greke kanë qenë për një shifër disa herë më të lartë.
Ceremonia e përvitshme organizohet çdo 28 tetor për të përkujtuar ditën kur Kryeministri Joanis Metaksas i tha “Jo” ultimatumit të Italisë për të hyrë pa rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar.