AKTUALITET, 19 Maj 2020, 09:44

Juristja: Gati kallëzimi penal për ministrin Leshaj, Ardi Veliun dhe kryebashkiakun Veliaj


Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Ardriana Kalaja e ftuar në emisionin “ABC-ja e mëngjesit” deklaroi se do të ketë edhe tre kallëzime të tjera penale kundër ministrit të brendshëm Lleshaj, Drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

Më tej Kalaja deklaroi se në momentin e shembjes së godinës brenda saj ka patur njerëz dhe se gjatë nxjerrjes së personave që ndodheshin aty, policia ka qenë e armatosur dhe se Robert Budinës ia kanë drejtuar armën.

“Rreziku për prishjen e Teatrit ishte evident dhe SPAK duhet të vinte në sekuestro preventive godinën dhe policia e fadromat nuk mund të futeshin dot për ta prishur”, u shpreh juristja Adriana Kalaja.

“Do shtojmë dozën e kallëzimeve. Do vazhdojmë dhe shumë fort madje, qoftë edhe fizikisht sepse kemi dhënë fjalën, mbi të gjitha për familjet tona. Nuk do doja që fëmijët e mi të udhëhiqen nga një bandë kriminale.

Pamjet që disponojmë në momentin e shembjes së teatrit nuk mund ti gjeni as në ngjarjet më të tmerrshme kundra terroristëve. Pavarësisht se e mohojnë, pavarësisht se thonë se nuk kanë patur armë.

Kanë patur armë të tipit të fundit. Kallëzimi i radhës do jetë kundër Ministrit të Brendshëm, drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe kryetarit të Bashkisë për vrasje e mbetur në tentativë.

Nuk mund të vijnë me armë, siç është një strukturë e posaçme si RENEA, kur ka një objekt aktiviteti se për çfarë përdoret. Ne u treguam të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm. Nuk kishim pse të prodhonim dhunë në atë moment, shembja nisi kur kishte njerëz brenda. Armët i janë drejtuar Robert Budinës, janë përdorur spraj”, deklaroi ajo.

Mes lotësh Adriana Kalaja në studion e ABC News kërkoi ndjesë për zërin dhe ashtu si u shpreh ajo, më shumë se zërin, u kishin hequr shpirtin.

“Kisha shumë besim sepse nga momenti që na erdhi shkresa e Bashkisë, dhe kur presidenti na garantoi që do ndërhynte për ta çuar në Gjykatën kushtetuese, por tani nuk e di më.

Kontrolli i Lartë i shtetit ka nxjerrë një vendim, për pezullimin e prishjes së teatrit, nuk është një shkresë e thjeshtë. Unë ju garantoj se Rama nuk do jetë edhe për shumë kohë në pushtet, dhe çdo veprim i bërë mbi teatrin është përgjegjësi e tij.

I kemi bërë thirrje SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk kemi patur asnjë reagim”, tha Kalaja.