BOTA, 19 Nëntor 2017, 22:35

Ja kush do të jetë shefi i ri i Cosa Nostra-s, pasardhësi i Toto Riinës

I pakapshmi Messina Denaro është në arrati prej 24 vjetësh. Ai mendohet se do të jetë pasardhësi i Totò Riina-s si shef i Cosa Nostra-s. kush është Messina Denaro? Pse cilësohet kopja e përkryer e mësuesit të tij, Toto Riinës dhe pse veç policisë, kërkohet edhe nga shërbimet sekrete. Një profil për bossin dopio-petë të mafias.

Nga Salvo Palazzolo/ La Repubblica

Shfaqet me një cigare në dorë (gjithnjë Marlboro të kuqe), me syze dielli Ray-Ban dhe me një pozicion të dorës që ora Roleks prej floriri të jetë e dukshme.

Ka një pasion për orët Rolex.

Ky është Matteo Messina Denaro, padrinoja i Cosa Nostra-s që nga viti 1993.

Me një xhaketë dopio-petë gri, këpucë me të njëjtën ngjyrë dhe me një qëndrim provokues, Messina shihet në atë që cilësohet si fotoja e tij e parë e publikuar ndonjëherë.

Kështu fantazma e Castelvetranos duket se po merr formë.

Nga fotoja kuptohet se mund të jetë 1.75 m i gjatë dhe me trup të hollë, në fakt jo rastësisht e quajnë “u siccu” (i dobëti). Është 20 vjeç në këtë foto të vitit 1982: viti i vrasjes së parë për pasardhësin e Don Ciccio Messina Denaro, punëtor i familjes D’Ali (familja e atij që më pas do të bëhej nënsekretar i shtetit të Ministrisë së Brendshme në dy qeveritë e Berluskonit) dhe një nga mafiozët më autoritarë të provincës së Trapanit.

Kjo është fotoja e fantazmës që u shndërruar në protagonistin e një përndjekjeje që po vazhdon prej 20 vjetësh.

Dhe tani qeveria italiane ka vendosur të fusë në lojë edhe Aisi-n, shërbimin sekret, në përpjekje për të mbyllur këtë kapitull lufte ndaj Cosa Nostra-s.

Kjo, sepse fantazma e Castelvetranos është pengesë për anti-mafian, e cila që pas masakrave të 1992-1993 ka burgosur të gjithë krerët e kupolës.

Të gjithë përveç Denaros, që u bë trashëgimtar i Toto Riinas.

Messina u dënua me gjashtë burgime të përjetshme, edhe për masakrat e Romës, Milanos dhe Firences. U bë trashëgimtar i Toto Riinas.

Ditën e vrasjes së tij të parë Matteo del nga makina dhe vrapon i vendosur drejt viktimës.

Tani fantazma e Castelvetranos merr formë dhe madje lëviz, pothuajse ndjehet.

Bërtet, qëllon, një goditje, një tjetër, dhe akoma një tjetër. Nuk ka shpëtim për një djalë që duhet të vritej sepse kishte grabitur bankat pa leje. Por vrasësi i asaj dite mbeti një imazh i paqartë.

Për Messina Denaro nuk pati asnjë gjurmë, pavarësisht se prokuroria e Palermos “e ka masakruar” në tetë vitet e fundit duke arrestuar pothuajse njëqind të afërm dhe miq të tij dhe konfiskuar tre miliardë euro nga persona që dyshoheshin se kishin lidhje me të. Një hetim kompleks, me dy skuadra prej 160 personash që janë vënë në ndjekje të tij.

Që prej gushtit 2015, kur nisi operacioni për kapjen e tij, nuk ka më asnjë gjurmë tjetër. Ndoshta bosi është ende në Siçili, ndoshta jo.

Sigurisht që Messina kërkohet edhe nga mafiozët. Si të ishte zgjidhja për çdo problem. Ka nga ata që thonë: “Ndonjë ditë, nëse nuk e ka bërë tashmë, do të tërhiqet dhe të tjerët do të bëjnë gjëra në emër të tij”.

Megjithatë, deri më sot, nuk ka pasur kurrë ndonjë bos të mafies që është tërhequr.

Si nxënësi i Toto Riinës u ngjit në krye të Cosa Nostras

Mesina Denaro ishte një kopje e përkryer e mësuesit të tij, Toto Riinës. Tmerrësisht i dhunshëm, mizor në ekstrem, ai nuk trembej nga askush dhe mbi të gjitha zotëronte zgjuarsinë e nevojshme për të mos rënë në duart e ligjit. Gjithashtu zotëronte një nuhatje të pazakontë në zbulimin e bizneseve fitimprurëse. Ai krijoi një pasuri të pallogaritshme me trafikun e drogës e me anë të zhvatjes përmes kërcënimit.

Në trafikun e drogës karriera e tij u zhvillua me hapa marramendës. Në pak vite, nga një trafikant i vogël, ai u kthye në një shpërndarës kryesor me një peshë të rëndësishme në qarqet e narkotrafikut botëror.

Ky është edhe momenti kur Shërbimet Amerikane të Sigurimit vunë re praninë e tij në këto qarqe. Sipas FBI-së, Denaro është një nga shpërndarësit më të mëdhenj në botë. Duket se mban lidhje të afërta me më shumë se një nga lordët kolumbianë të drogës. Me këtë sukses ai lë shenjë në “Cosa Nostra”. Në këtë pikë ka filluar edhe ngjitja e tij në hierarkinë mafioze, sidomos pas marrjes në dorëzim nga duart e të atit kryesimin mbi klanin e Trapanit. Por ky do të ishte vetëm fillimi.

Beteja me autoritetet

Viti 1993 do të ishte një vit i shënuar në historinë e mafies siçiliane. Gjatë tij u zhvillua një takim midis krerëve të mafies ruse dhe krerëve të “Cosa Nostra”-s. Por shteti italian mori masa drastike duke arrestuar dhjetëra mafiozë. Gjithashtu u morën masa të ashpra në administratë, e cila kishte qenë objekt infiltrimi nga elementë që punonin për llogari të “Cosa Nostra”-s. Por ata që e dëmtuan më shumë këtë organizatë ishin “të penduarit”. Kulmi i suksesit të qeverisë italiane në luftën kundër mafies arriti me arrestimin e kreut të saj, “Bosit të Bosëve”, Toto Riinës. Por ky ishte një vit shumë i suksesshëm edhe për Mateo Mesina Denaron.

Gjatë këtij viti, ai arriti të bëhej pjesë e “Supercosa”-s.

“Supercosa” është një grup i përzgjedhur bosësh, të cilët janë në dijeni të çdo aktiviteti të “Cosa Nostra”-s. Sapo zuri një vend në zonën e të fuqishmëve, ai do të niste një “luftë të drejtë kundër shtetit italian”. Në vitin 1993 bomba shpërthyen në Romë, Firence dhe Milano. Kisha katolike ishte një ndër objektivat kryesore.

Koordinatori i këtyre sulmeve ishte pikërisht ai, Mateo Mesina Denaro. Ai nuk mjaftohet t‘i dërgojë trupat e tij kundër kishës, departamentit të drejtësisë dhe stacioneve të policisë, ai kërkon t‘i japë një mesazh të qartë edhe shtypit. Me urdhrin e tij u ekzekutua një numër i madh gazetarësh, të cilët mendohej se ishin shtyrë shumë thellë në misterin e “Cosa Nostra”-s.

Drejtësia italiane filloi të kuptonte se arrestimi i Toto Riinës dhe i mafiozëve të tjerë nuk e kishte destabilizuar “Cosa Nostra”-n. U vu re edhe që një djall i vërtetë kishte bërë përpara në radhët e saj.

Hedhja në fshehtësi

Mbreti i ri i “Cosa Nostra”-s hidhet në fshehtësi në vitin 1993, pasi Xhovani Bruska, një i penduar shumë i rëndësishëm, thyen kodin e heshtjes dhe u tregon autoriteteve gjithçka dinte për djaloshin ambicioz. Denaro u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm, gjë që nuk e ndalon aspak të vazhdojë aktivitetin e tij. Ai e shfrytëzon pakënaqësinë që kishin mafiozët në lidhje me mënyrën me të cilën operonte Provencano.

Përballja mes brezave

Ardhja e Denaros në fuqi do ta rikonfiguronte rrënjësisht organizatën kriminale më të fuqishme në botë.

Klisheja e bosit të moshuar mafioz që e drejton perandorinë e tij nga një fermë e humbur mes malesh, do t‘ia linte vendin një klisheje të re të stilit të Sopranove.

“Bosët e vjetër i kanë akoma duart me baltë”, do të thoshte një hetues për një revistë amerikane, “ndërsa Denaro nget një ‘Porche‘, pëlqen kompjuterët dhe librat humoristikë. Është jashtëzakonisht shumë i pasur, bën një jetë të shthurur dhe është shumë i dhënë pas femrave. Një ‘play boy‘ i vërtetë…”.

Gjëra të tilla do të dukeshin të pamundura në kohën e bosëve të vjetër, por duket se kohët kanë ndryshuar.

Megjithatë do të ishte e gabuar të mendohej se Denaro dhe pasuesit e tij janë një tufë kriminelësh psikopatë, pasi ai ka treguar se është një strategjist i shkëlqyer me një dëshirë të papërmbajtur për pushtet.

Nga viti 2013 operacionet për kapjen e tij janë shtuar ndjeshëm. Shumë janë arrestuar, përfshi edhe nipin e arrestuar të kapos, Francesco-n.

Megjithatë Matteo vazhdon normalisht jetën e tij, flitet shumë për pasionin e tij për femrat dhe teorisë së se ka edhe një djalë, sepse deri më sot dihet të ketë një vajzë (që tani është maxhorene). Djalit mendohet t’ia ketë vënë emrin Francesco, në kujtim të babait të tij të adhuruar, don Çiço, që vdiq në arrati.