TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përfshirë sot në debatin e hapur nga kreu i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, i cili akuzoi nënën e fëmijës që u aksidentua për vdekje një ditë më parë nga ambulanca në Kakavijë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Zhupa shkruan se Gonxhja ka fshirë postimin, por nëse do kishte ndërruar opinion ai do kishte kërkuar dhe falje.
Sipas zyrtares së PD, Gonxhja duhet t’i kërkojë falje nënës së fëmijës dhe mijëra emigrantëve që i përçmoi dhe foli me urrejtje kundër tyre.
POSTIMI:
Blendi Gonxhja e ka hequr nga facebook deklaratën poshtëruese, përçmuese, provokative dhe pa ndjenja ku akuzon emigrantët shqiptarë për krizën në kufi. Heqja e postimit është vetëm një fshehje e krimit.
Nëse do të kishte ndryshuar opinion, do të kishte kërkuar falje. Do t’i kishte kërkuar falje asaj nënës së gjorë, që e akuzoi për vdekjen e të birit të vogël, i shtypur nga një ambulancë.
Nëse do të kishte ndryshuar mendim, Blendi Gonxhja do t’u kishte kërkuar ndjesë mijëra emigrantëve që sakrifikojnë çdo gjë për të ardhur pranë të afërmve, emigrantëve që kontribuojnë me djersën e tyre për të mbajtur prindërit në Shqipëri.
Blendi Gonxhja është ky i postimit gjithë arrogancë, urrejtje dhe përçmim ndaj emigrantëve. Heqja e këtij postimi nga rrjetet sociale nuk mjafton.
Ky zyrtar i padenjë duhet të shkarkohet menjëherë! Është një akt për të treguar se Edi Rama nuk ndan të njëjtin qëndrim me Blendi Gonxhen.