IDE, 14 Shtator 2022, 20:58

Para ruse, apo para korrupsioni nuk ndryshon shumë

Para ruse, apo para korrupsioni nuk ndryshon shumë

Kjo historia e lobimit të PD-së së Bashës në SHBA është shumë interesante. Në 20 mars të vitit 2017 lidhet një kontrate e çuditshme mes Biniatta Trade nga Skocia dhe Stonington Strategies e Nick Muzinit. Në kontratë Biniatta i thotë Stoningtonit, që unë dua të më lobosh për llogari të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe për këtë do të paguaj 3 këste nga 150 mijë dollarë dhe një këst prej 500 mijë dollarësh. Pra, në total 950 mijë dollarë.

Dy ditë më vonë në 22 Mars të po 2017-ës, PD lidh vetë kontratë lobimi me Stoningtonin për 75 mijë dollarë të tjera, të ndara në tre këste nga 25 mijë dollarë.

Tre javë më vonë, PD lidh një tjetër kontratë lobimi me Barnes Thornburg për 150 mijë dollarë të tjera, edhe këto të ndara në tre këste.

Stonington thotë se nga 950 mijë dollarët e rëna dakord, Biniatta i pagoi vetëm një këst prej 150 mijë dollarë në 27 mars të vitit 2017. Ndërsa PD i pagoi 525 mijë dollarë. Dmth një lëmsh shumë i madh. Por nejse.

Tani, Biniatta Trade ishte një firmë e regjistruar në Skoci (tani është ç'regjistruar). Në faqen e saj, Biniatta kishte vënë si numër kontakti, një numër telefoni të një shtëpie publike në Ukraine. Dy aksionarë dhe përfaqësuesit e Biniattës ishin kompanitë Asverro Corporation dhe Liminez Commerce Inc, të dyja të regjistruara në Belize. Të dyja këto kompani dalin aksionere tek Babyonica, një tjetër kompani e regjistruar në Londër, pronar fundor i së cilës rezulton një rus i quajtur Evgeny Sheremetyev.

Të gjitha llogaritë e Biniattas janë firmosur nga një grua e quajtur Sandra Gina Esparon, që përfaqëson dy kompanitë në Belize. Kjo Gina Esparon ka nja 4 emra, përfaqëson 92 kompani dhe jeton në Seycheles.

Sipas një raporti të Bellincat dhe Zyrës Britanike të Transparency International, Esparon ishte figurë kyçe në skandalin e pastrimit të parave në Skoci përmes një zyre që regjistronte me qindra kompani offshore. Përveç kësaj, Gina Sandra Kilindo alias Esparon rezulton aksionere në kompaninë Euroimpex Group Corp. Përfituesi fundor dhe aksioneri më i madh i kësaj kompanie ishte Mikhail Slipenchuk, ish zv/kryetar i Parlamentit rus nga partia e Putinit. Ky është i sanksionuar nga SHBA-të.

Në fund, dy alternativa ka këtu.

E para, PD ka marrë para nga rusët sepse është e sigurt që ato kompanitë më sipër zotërohen nga rusë, kanë xhiruar para ruse dhe u mbyllën menjëherë pasi u ekspozuan.

E dyta, paratë nuk janë ruse. Janë para korrupsioni nga Shqipëria, që PD tentoi t'i çonte në SHBA, përmes një kompanie offshore, por që i doli e lidhur me Rusinë.

Në çdo rast, krim është ky. Ose janë marrë para nga rusët ose është bërë pastrim parash korrupsioni nga Shqipëria. Dhe ky është njësh për ta futur veten në belara lekësh. Nuk ka rivalë në këtë sport.