IDE, 9 Shtator 2022, 14:33

Irani që pashë unë

Dje ishte dita e fundit e qëndrimit hapur të selisë së ambasadës së Iranit në Tiranë. Pas vendimit të qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, me akuzën e sulmit kibernetik që rrëzoi shtetin digjital, diplomatët e fundit dhe personeli shqiptar braktisën zyrat dhe tashmë ajo është nën kontrollin e shtetit shqiptar.

Irani që pashë unë
Policia shqiptare dje në Ambasadën e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë

Për herë të fundit hyra në atë seli diplomatike në orën 12.00 të 26 nëntorit 2008. Ish-ambasadori Alibeman Eghbali Zarch, më priti qejfprishur, ndërsa mbante në dorë ka dy fletë A4, përmbledhje në gjuhën farsi të pjesës së parë të reportazhit “Teheran, me shpirtrat pa hixhab të Iranit”, të botuar një ditë më parë në gazetën “Shekulli”. Më kujtohet fytyra e diplomatit mik të gazetarëve, fjalët si përshpërimë. Më tha në fytyrë se pjesa e parë e raportimit për Iranin që pashë unë, gjatë 8 ditëve të kaluara në Teheran, gjatë Panairit të 15-të Ndërkombëtar të Medias dhe Agjencive të Shtypit, ishte i njëanshëm. Ai më tha se kolegë apo gazetarë iranianë që erdhën në Shqipëri u vodhën kuletën apo makinën, por kjo nuk ishte pasqyrë e Shqipërisë dhe e njerëzve të mirë. Unë i thashë se kisha shkruar vetëm atë që pashë në vendin e tij. I urova që të mos kishte probleme me autoritetet, sepse ishte organizatori që dy gazetarë shqiptarë të shkonin në Iran dhe iu luta që personazhet që folën me mua në Teheran dhe u cituan në gazetë, të mos përndiqeshin në atdheun e tyre.

Përtej politikës dhe marrëdhënieve që janë kushtëzuar prej saj, Shqipëria dhe Irani kanë mjaft ura, ndoshta më shumë se shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe janë lidhje që vijnë nga shekujt e kaluar deri në ditët e sotme.

Pashë gratë e Iranit të ajatollahëve. Shumë ndryshe nga Farokhroo Pārsā që u ekzekutua se nuk deshi ta shihte femrën iraniane nën hixhab. Fizikane dhe parlamentare, ishte gruaja e parë në një qeveri iraniane, mbështetëse e fuqishme e të drejtave të grave, që në letrën e saj të fundit nga burgu për fëmijët, shkruante: Unë jam mjeke, kështu që nuk kam dhimbje nga vdekja. Vdekja është vetëm një moment dhe jo më. Unë jam e përgatitur ta pranoj vdekjen me krahët hapur, më mirë se të jetoj e turpëruar që të jem forcërisht e helmuar…Unë nuk jam përgatitur të vë çadorin dhe të kthej pas historinë.

Femrat e 2008-ës ishin si Samone Salari, përkthyesja e anglishtes, që më ndihmonte të merresha vesh me folësit e gjuhës farsi në stendën e Shqipërisë, në panairin ndërkombëtar të Teheranit. Samo në persisht do të thotë “qiell” dhe mbi këtë qiell rregjimi kishte vënë një hixhab të zi, i cili, sapo u ngrit në mes të flokëve të errët të studentes, çoi peshë punonjësin e Ministrisë së Kulturës, një 40-vjeçar me syze të trasha optike që çuçuriti diçka te veshi i Samo, para se të largohej, po me nxitim, ndërsa vajza ngriti shaminë e zezë, duke më sqaruar: “Më hoqi veshin pse më ra veli. Kushedi se çfarë do të më thonë më vonë”. Shall i mbyllur deri në kokth të fytit (rusari), shami me ngjyra (makhne), pëlhurë e zezë që të vesh kokë e këmbë (çador), apo pardesy e gjatë deri te gjunjët (mantu), veshja që kopsit çdo pjesë tjetër të trupit, veç fytyrës dhe duarve (hixhab), ishin garderoba e detyrueshme për çdo femër në Republikën Islamike të Iranit, lëkura e dytë e tyre.

Samo Salari ma shprehte revoltën: Nuk duhet të jetë kështu. Unë besoj te Islami, por askush nuk mund të më tregojë se çfarë duhet të bëj, apo të mos bëj.

Edhe 34-vjeçarja Roya Saadatmiser nuk ishte dakort me hixhabin: Ne duhet ta mbajmë këtë, por nuk është e drejtë. Ajo thoshte se vetëm në vitin 2007, “Policia e Moralit” ndaloi nëpër stacione policie mbi 2.5 milionë njerëz, që u gjobitën, u mbajtën të ndaluar disa ditë apo u burgosën.

Në javën e tretë të nëntorit 2008, në Teheran temperatura ishte rreth 10 gradë, por në verë shkon edhe 43 gradë dhe Roya revoltohej: Është si ferri të jesh në 40 gradët e Teheranit me një veshje të tillë. Por nuk kemi ç’të bëjmë.

Naghmeh Hosseini, një zonjë 46-vjeçare më tha: Kurani nuk e thotë, por kështu e kanë vendosur. Nina Nalevane, me pasaportë iraniane dhe amerikane, që jetoi 22 vjet në Los Anxheles dhe u kthye të banojë në një lagje të pasur të Teheranit, më tha se e urrente hixhabin: Më dhembin sytë kur i shoh këta njerëz, vajza të vogla dhe gra të moshuara, të gjitha të mbuluara.

Por kishte mjaft femra të indoktrinuara. Faeze Taheri, gazetare e agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA habitej pse në Shqipëri, ku ka popullsi të besimit islam, femrat nuk mbuloheshin me hixhab. Eshrat Hayegh, kryemenaxherja e kompleksit historiko-kulturor “Saad Abad”, ish-rezidenca e Shahut shprehej: Gratë në Iran nuk kanë presion. Perëndimorët mendojnë se gratë, nëse nuk zhvishen dhe nëse nuk shkojnë në disko, nuk janë të lira. Gruaja nuk është instrument për burrin.

Pashë “nëntokën” e Teheranit, mbushur me alkool dhe jetë perëndimore, në bodrumet e shumëkatësheve të milionerëve të rinj, përplot me rini të lirshme, vajza pa hixhab, fëmijë të të pasurve të Teheranit, studente që, ofronin shoqëri për 30-80 euro. Dhjetëra lokale si “Che Guevara”, stil i ri dhe foto të shumta nëpër mure, që evokonin jetën e luftëtarit latino-amerikan, çifte të reja që hanin kebab dhe pinin coca-cola dhe birrën “Delster” pa alkool që kishte shijen e çajit të ftohtë me limon. Por fshehurazi kishte plot alkool. Kolegu Mathias Bruggmann, gazetari i së përditshmes gjermane “Handelsblatt”, e kishte sjellë uiskin në një shishe plastike 0,5 litroshe, me stampën e ujit mineral natyral të pirë në Arabinë Saudite. Kudo kishte uiski dhe vodka armene që bëhej aty dhe shitej me leje në komunitetin e krishterë.

Pashë kolegë si Mohammad Bagheri, që erdhi paraditen e 19 nëntorit 2008 në stendën shqiptare për të më marrë një intervistë. Mbi të 60-at, me shenjat e dukshme të parkinsonit, kolegu punonte për njërën nga gazetat e shumta qeveritare, që mbajti shënim në farsi dhe uli kokën i akuqur kur i thashë nuk e besoja që do t’i shkruante ato që i thashë për lirinë  medias, që mungon në Iran, ku gazeta si “Etelat” me një të shkuar mbi 82-vjeçare ishte proqeveritare, ku “Hamshahri” themeluar nga ish-kryetari i bashkisë së Teheranit, Gholamhussei Karabashi, ishte një prej gazetave të rëndësishme të Iranit, me një tirazh rreth 400 mijë kopje, ishte shumë e njohur për pozicionin e saj të moderuar dhe mbështetëse e ish-presidentit Khatami, ndërsa qindra gazeta ishin të mbushura me lajme zyrtare dhe serioze, të shoqëruara me foto të liderit suprem Khamenei, presidentit Ahmadinexhad, ministrave, apo të zyrtarëve të tjerë, revistat të mbushura me artikuj të gjatë për vlerat e familjes islame, të shoqëruara me fotot tradicionale, gra me hixhab, të lumtura pranë bashkëshortëve të tyre, gjyshe me nipërit.

Edhe Panairin e 15-të Ndërkombëtar të Medias dhe Agjencive të Shtypit e kishin organizuar në “Imam Khomeini Grand Mosalla, faltorja më e madhe ende në ndërtim.

Pashë kullën “Milad”, krenaria e Iranit modern, fytyra e një superfuqie ekonomike, të lartë 435 metra, vepër e arkitektit Dr. Mohammad Reza Hafezi, kullë tetëkëndore me emrin që do të thotë “të lindësh”, ngrihet mes lagjeve Shahrak-e Gharb dhe Gisha të Teheranit, që duket në 335 metra një metropol pa fund. Atëherë ishte godina e katërt më e lartë në botë, pas asaj “CN” në Toronto, Ostankinos në Moskë dhe “Oriental Pearl” në Shangai. Nga kupola e xhamtë e kullës 12 miliardë dollarëshe shihej metropoli i pamatë, që ditën arrinte deri në 15 milionë banorë dhe natën 12 milionë, plot ndërtime gjigande, infrastrukturë moderne dhe miliona njerëz që rendnin në këmbë, makinë, apo nga katër aeroportet e kryeqytetit; lagjet e më të pasurve të Teheranit, me vila superluksoze, 3-4 katëshe, të veshura nga jashtë me mermer dhe të rrethuara nga mure të larta; të rinj që ëndërronin të kishin një “Peugeot 206”, të prodhuar nga fabrika “Khodro” dhe një popull që mezi blinte orizin e bardhë të Indisë.

Pashë iranianë të rinj që nuk e dinin ku ishte Shqipëria: Albani? Në Rusi? Jo është afër Italisë, sipër Greqisë…Enver Hoxha? Ismail Kadare?; të vjetër që mbanin mend vetëm ish-diktatorin komunist që mbështeste regjimin e ri të Khomeinit, pse ishte kundër SHBA-ve në vitet ’80, që habiteshin kur u thoje se sa popullor është në Shqipëri Omar Khajami, se Naim Frashëri, lirikat e tij i shkroi edhe në persisht, se shumë kanë lexuar “Gjylistani dhe bostani”.

Pashë edhe studentë të paktë shqiptarë si Medrit Mustafaraj që bënte masterin për IT, sepse shkolla iraniane ka një nam të shkëlqyer, edhe për degë të tjera.

Pashë në ditën e fundit të panairit zëvendësministrin e Kulturës së Iranit, Malekiani, që pasi pa te stenda e Shqipërisë portretin e ambasadorit Zarch në Tiranë, tha se Irani duhet të kishte marrëdhënie të mëtejshme me Shqipërinë, të cilat nuk duhet të ndikoheshin aspak nga politika globale, por duke parë interesat dhe lidhjet mes popujve, edhe pse ne nuk kishim fare marrëdhënie.

Dhe pashë dje se selia që më kishte shpallur të padëshiruar pas raportimit që bëra për Teheranin u mbyll përfundmisht, pasi politika e kishte vrarë vit pas viti.