IDE, 5 Shtator 2022, 14:42

Sot rihapet zyra noteriale e qeverisë

Sot rihapet zyra noteriale e qeverisë

Pas pushimeve të gjata të verës, sot rihapet në ora 18.00 sesioni i tretë parlamentar i legjislaturës 2021-2025. Rendi i ditës është si përherë vanitoz, me miratimin e procesverbaleve të tre seancave plenare të javës së fundit të korrikut, ku deputetët votuan me nga 76-126 vota pro për miratimin e raporteve dhe projektligjeve të sjella nga qeveria, betimin e presidentit të ri të republikës, Bajram Begaj dhe dekretet për shkarkimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe emërimin e Belinda Ballukut në vend të tij.

Asgjë e re nuk pritet të ndodhë deri në pushimet e dimrit.  

PS dhe PD pritet të gjejnë gjuhën e përbashkët për riformatimin e hartës administrativo- territoriale, sipas deklaratave nga ekspertë pranë qeverisë se harta ka nevojë për korrektime dhe me thirrje nga opozita se reforma elektorale e vitit 2014 me 61 bashkitë e reja ishte thellësisht elektorale në favor të të majtës dhe se duhen shtuar me disa dhjetra të tjera. Copëzimi nuk pritet të ndryshojë aspak për mirë treguesit skandalozë të qeverisjes vendore kur shumë bashki janë të zhytura në borxhe (rreth 7 miliardë lekë) dhe dy prej tyre (Kavaja dhe Vora) do të merren nën administrim nga ekspertët e zgjedhur nga qeveria dhe kur niveli i shërbimeve bazike, si ujë, kanalizime dhe infrastrukturë social-ekonomike janë shumë më keq se përpara të ashtutuajturës reformë, me të cilën u premtua e kundërta.

Asgjë e re nuk pritet të ndodhë edhe me reformën zgjedhore PS-PD, ku palët janë të vendosur deri në vdekje që të mos lëshojnë kontrollin ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, duke mbetur edhe lojtarë (pjesëmarrës) në procesin zgjedhor dhe arbitra (të numërojnë) të verdiktit të popullit. Edhe në zgjedhjet e ardhshme vendore të pranverës 2023, nuk pritet të mundësohet (me justifikimin për teknikalitete dhe mungesë kohe) votimi i rreth 1.6 milionë shtetasve me të drejtë vote, po aq sa marrin pjesë normalisht në vend, kur edhe Kosova, vetëm 15 vite shtet i pavarur ua mundëson shtetasve të saj të diasporës në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Sigurisht që parlamenti ka punë të tjera më të rëndësishme për të bërë, si në të shkuarën: të vijojë të shërbejë si zyrë noteriale e qeverisë.

Ndaj nuk është e papritur dhe as e re që në rend të ditës do të jenë nisma e PS-së për ndryshimin e ligjit të dosjeve, për të vijuar sulmin politik ndaj spiunit I.M., ambicies për të inkriminuar ish-presidentin Ilir Meta, tashmë të rikthyer në politikën aktive në krye të Partisë së Lirisë apo nisma për të larguar nga parlamenti ish-sekretarët e partisë, me qëllim përzënien e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Qeveria është e vendosur, edhe pse ka kundër Parlamentin Europian, që të kalojë amnistinë fiskale për paratë e padeklaruara; “pasaportat e arta”, duke u dhënë shtetësinë të huajve që kanë para; janë në plan PPP-të e reja që do t’u shtohen atyre ekzistueseve; nismat ligjore të diktuara për interesat klienteliste të një grupi oligarkësh afër qeverisë, siç ndodhi me të famshmit “investitorë strategjikë”.

Shqipëria është në një fazë të re në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ku  Parlamenti duhet të jetën në krye të përafrimit të legjislacionit me BE-në siç e detyrojnë 35 kapitujt që duhen plotësuar.

Këtë detyrë nuk ka takat ta bëjë parlamenti ynë, zyra noteriale e qeverisë, i cili, prej disa legjislaturash, është larguar nga roli kushtetues që ka për të kontrolluar qeverinë, siç duhet të ndodhë në një republikë parlamentare, urdhërohet nga qeveria që të votojë en-block çdo nismë të saj, që nuk përkon as me vullnetin e zgjedhësve që nuk llogariten askund dhe as me interesat e vendit që ka 32 vite në tranzicion, por me interesat e ngushta të një grushti oligarkësh që noterizojnë aty blerjen e copave të Shqipërisë.