IDE, 2 Shtator 2022, 14:48

Kur del nga rreshti

Kur del nga rreshti

Aksioni i IMT-së në resortin e Golemit nuk nisi sot, por vijoi me intensitet disa ditë pasi ishte prishur një mur betoni. As përplasja e botuesit të “Hysenbelliu Group” me qeverinë nuk nisi sot, por kulmoi pas një serie të gjatë akuzash dhe kundërakuzash.

Fillesa ishte kur qeveria e z.Rama e kuptoi se biznesmeni po dilte nga rreshti ku janë vënë shumica e njerëzve të politikës, biznesit, medias dhe ndikimit në publik. Të paktën deri para zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, gjithçka shkonte vaj dhe media, biznesi dhe politika ishin mpleksur shumë mirë, duke ndikuar në lehtësimin e problemeve financiare, shtrirjen e bizneseve dhe, sigurisht, në shtimin e fitimeve.

Për të ardhur deri te krisja e parë që solli çarjen e madhe që ndodh sot. Mediat e biznesmenit, duke besuar të rotacioni tipik shqiptar pas dy mandateve, u vunë në krah të opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha, që llastohej me etiketimin si kryeministri i ri.

Dështimi do të sillte edhe ndarjen e palëve, sepse, qeveria, sipas mentalitetit të komanduesit, nuk mund ta harronte daljen nga rreshti të një biznesi dhe medie që deri në atë kohë kishte përfituar nga afria me pushtetin.

Përplasja me drejtorin e Doganave dhe atë të Tatimeve, apo bojkotimi i festës tradicionale të birrës në Korçë, ishin paraloja për të arritur te akti i sotëm: prishja me dhunë e ambienteve të resortit të mbushur me turistë, ku kryeministri dikur drekonte bashkë me ish-presidentin dhe biznesmenin kosovar, Behgjet Pacolli apo me Taulant Ballën që më shumë paska ndenjur aty se në shtëpinë e vet (siç thotë drejtori i “Panorama”, Alfred Peza, dikur edhe deputet i Ramës), ku ishin strehuar edhe refugjatët afganë të ikur nga vendi i rikthyer nën sundimin taleban dhe ku betonizimi është bërë me vite, siç kanë bërë shumë tjerë në bregdetin e Adriatikut, edhe për të ruajtur atë pjesë toke nga erozioni që po ha brigjet tona.

Në këtë përlasje mirëfilli politike media nuk ka të drejtë morale të luajë rolin e viktimës dhe të ankohet për cenim të lirisë së shprehjes, sepse bëri kompromise me politikën për interesa afatshkurtëra. Kjo media nuk protestoi vite më parë dhe nuk e mbrojti emisionin “Të paekspozuarit” që u hoq dhunshëm nga programacioni pasi nuk i pëlqente kryeministrit, vetëm pse e shprehte të vërtetën lakuriq dhe njëlloj veproi edhe politika që sot është vënë në rresht për të dënuar fushatën e fadromave të qeverisë.

Nuk ka mbaruar, sepse, siç thotë drejtori i përgjithshëm i “News 24”, Robert Rakipllari, më 25 korrik 2022 ka ardhur shkresa për lirimin e ambienteve të televizionit, që dikur ishin pjesë e ish-Kombinatit të Autotraktorëve në Shkozë, ku përveç investimeve prej disa dekadash, sapo janë ribërë edhe studiot e reja ku “përleshet” politika e ditës.

Ky është një film i stërparë në Shqipërinë postkomuniste që ende nuk është ndarë nga deviza autoritare “O me mua, o kundër meje” dhe ky është shkatërrimi më i madh, mu në themelet e shtetit demokratik, miliona herë më i madh se ato ndërtime betoni që u shkërmoqën sot në Golem.