TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
PS dhe PD vendosën përpara pushimeve të verës që Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale ta shtynte afatin e punës deri në 30 shtator 2022, për t’u dhënë kohë palëve që të arrijnë një kompromis politik për hartën e re, e cila, nëse do të ribëhet, do të rivizatojë hartën e reformës administrativo-territoriale të miratuar në vitin 2014, vetëm me votat e të majtës.
Reforma administrativo-territoriale e tetë viteve më parë zvogëloi njësitë vendore, nga 373 (308 komuna dhe 65 bashki), në vetëm 61 bashki dhe la të paprekur numrin 12 të qarqeve, ndërsa PD-ja ka akuzuar se pas kësaj reforme, që e cilëson sot të dështuar financiarisht dhe për t’u ofruar shërbime qytetarëve, ishte motivi elektoral, duke hequr nga harta administrative zona të sigurta “blu”, për t’i asimiluar me zona më të mëdha “rozë”, çka solli fitoren e shumicës së nevojshme të të majtës për të marrë tre mandate qeverisëse radhazi.
Opozita e bojkotoi votimin e hartës aktuale në kuvend në vitin 2014, por sot grupi i deputetëve që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, por edhe vetë zyrtarë të shumicës qeverisëse, thonë se harta duhet ribërë, pas problemeve në financat vendore dhe mungesën e shërbimeve për qytetarët.
Sot, Partia Socialiste, paska arritur në përfundimin se ndarja aktuale territoriale e Shqipërisë është e duhura, edhe pse bashkia Tiranë kërkon të aneksojë edhe Kamzën dhe Vorën, me motivin e përmirësimit të punës dhe shërbimeve. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit tha se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
PD, përmes deputetes Dhurata Çupi, u përgjigj se Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë. Grupimi i drejtuar nga Alibeaj në draftin e tyre të reformës territoriale, propozuan hartë të re me 92 bashki (Sukth, Fushë-Krujë, Farkë, Ndroq; Paskuqani t'i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri t'i bashkohet Bashkisë Kamëz; Maqellarë, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Shpirag në qarkun Berat; Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratar në qarkun Fier; Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Leskovik, Voskopojë, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Orikum, Ksamil, Novoselë dhe Kotë në qarkun Vlorë. Si dhe 6 rajone: Tiranë-Durrës, Shkodër-Lezhë, Kukës-Dibër, Gjirokastër-Berat, Fier-Vlorë dhe Elbasan-Korçë.
Ish-kryetari i bashkisë së Pogradecit dhe eksperti i komisionit të reformës territoriale, Artan Shkëmbi, kërkoi zvogëlimin e numrit 61, sepse ishte i mendimit se ka bashki që janë më të vogla se një komunë përpara 8 viteve. Por, ndërsa partitë po përplasen dhe kërkojnë kompromis qeveria po kërkon të marrë nën administrim bashkitë e para që zyrtarisht kanë falimentuar, siç janë Vora dhe Kavaja.
Më 17 qershor 2022 Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference me kryebashkiakët socialistë, paralajmëroi se qeveria do të marrë në administrim bashkitë e vendit që “janë të mbytura në borxhe” dhe shkojnë në falimentim. “Borxhet dhe problemet nuk mund t’i lini te dera e qeverisë”, u shpreh Rama tre muaj më parë.
Tani, Ministria e Financave ka hapur një konkurs për të rekrutuar disa administratorë, të cilët, në emër të qeverisë qendrore, do të marrin në dorë administrimin financiar në këto dy bashkitë.
Këto dy bashki kanë grumbulluar borxhe të vjetra dhe shtuar të reja, siç ndodh edhe më 13 të tjera. Sot totali i detyrimeve të prapambetura ndaj të tretëve që kanë akumuluar bashkitë, arrin rreth 7 miliardë lekë të rinj ose rreth 60 milionë euro, ku, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, më debitore janë Kavaja, Tirana, Vora, Malësia e Madhe dhe Pogradeci.
Kavaja, edhe pse një bashki e pasur bregdetare, ka sot një borxh prej plot 820 milionë lekësh të rinj. Bashkia Tiranë, edhe pse ekonomia më të madhe vendore dhe me të ardhura të shumta, ka 653 milionë lekë të rinj detyrime ndaj të tretëve. Bashkia Vorë ka një borxh prej 515 milionë lekësh, duke u renditur e treta në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht se është një bashki e vogël. Borxhe të shumta kanë gati të gjitha bashkitë e tjera dhe shumica e tyre janë mospagesa e detyrimeve ndaj palëve të treta për projektet e investimeve publike, që janë bërë në prag të fushatave elektorale si dhe pagesat për shkarkimet e padrejta në administratë, duke paguar nga 20 paga për ata që fitojnë gjyqet dhe duke paguar edhe për të punësuarit e rinj.
Sipas ekspertëve, politika e ka dëmtuar dy herë pushtetin vendor në vend, vitet e fundit. Së pari me ndarjen e re administrativo-territoriale me synim kryesor atë elektoral, por jo në shërbim të autonomisë vendore dhe vetëqeverisjes dhe së dyti me kthimin e qeverisjes vendore në fole të punësimit të militantëve dhe jo të profesionistëve, duke fryrë organikat jashtë çdo logjike ekonomike dhe nga ana tjetër duke degraduar shërbimet në furnizimin me ujë, kanalizime, mbetje urbane dhe investime social-kulturore, që janë shumë më keq se disa vite më parë.
Tani loja është sërish në fushën e politikës. Nga njëra anë është korrigjimi i hartës administrativo-territoriale për të fshehur degradimin e pushtetit vendor përmes pazareve elektorale përpara zgjedhjeve të rregullta vendore që mendohet të mbahen në prill 2023. Dhe nga ana tjetër plani qeveritar që bie ndesh me autonominë vendore, duke marrë nën administrim bashkitë e falimentuara, duke centralizuar administrimin e ujësjellësave të mbytur në borxhe dhe duke përqendruar tenderat e bashkive në dorë të qeverië, nga frika se drejtuesit vendorë vjedhin edhe tubat, pllakat dhe llampat e ndrçimit rrugor. Thjesht një "tokë e xanun" nga politika, për llogari votash, ku populli nuk llogaritet.