IDE, 22 Korrik 2022, 18:21

Nëse do isha djali i Sali Berishës, do t’i kërkoja babait të jepte dorëheqjen!

Nëse do isha djali i Sali Berishës, do t’i kërkoja babait

Nëse do të isha në vend të Shkëlzenit, djalit të Berishës, sot do t’i kërkoja babait tim të jepte dorëheqje përfundimtare nga Partia Demokratike.

Sfida me SHBA-në është donkishoteske. Vendimi i Britanisë së Madhe, e me shumë gjasa edhe Gjermanisë, (ka dhënë shenja të hapura) do ta kthejë betejën opozitare në një luftë me mullinjtë e erës. Do të nxjerrin çdo muaj nga një shtet që do të etiketojë kriminel e të korruptuar. Nuk ka rëndësi fare edhe sikur të kesh 1 milionë shqiptarë pas vetes. Është një betejë e humbur. As fakti që sulmi ndaj teje, ba, në këto përmasa, është i pamerituar nuk ka rëndësi. Sidomos kur e krahaso me bëmat e qeveritarëve të sotëm.

Ti sot je në shënjestër të shtetit më të fuqishëm të botës. Të tjerët do ta ndjekin atë shtet qoftë edhe për konjukturë politike. Partia Demokratike e ka të pamundur të ndahet nga ti, vetëm ti mundet të ndash veten nga PD. Ti e fitove betejën tënde. U tregove atyre langaraqërve që ke 600 mijë shqiptarë pas vetes dhe nuk je një plak i vetmuar e braktisur. Plus hoqe nga Kryetar një të paaftë që ua kishe vu në krye demokratëve. Kaq mund të bësh, nuk është pak.

Tani duhet t’i transferosh ata shqiptarë te një udhëheqje e re, pa barrën e “nongratës dhe të qeverisjes së kaluar. Le të krijojnë një bord 5 anëtarësh që ta çojë PD-në në zgjedhje lokale e menjëherë pas tyre të shpallin zgejdhjet për Kryetar.

Ndarja me të kaluarën duhet të bëhet e prerë dhe e plotë. Kandidatët për Kryetar duhet të jenë të moshës 35-45 vjecc, pa komplekse nga e shkuara. Asnjë ish ministër apo funksionar i qeverisjes së para 2013-ës. Një opozitë e tillë do të kishte të ardhme.

Përndryshe, aleati më i madh i Ramës je ti babi. Ne do përpiqemi të jetojmë jetën tonë pa pushtetin tënd.
Do t’i dalim zot vetes dhe ty në rast se do jetë nevoja. E njëjta logjikë edhe për PD-në. Fundja kaq ta kemi borxh.

Ti ke qenë gjithçka për ne…

A po t’i them me dhimbje këto fjalë? Thika në zemër i kam secilën prej tyre. Por rruga e nisur është drejt greminës. Le të pushojmë pak…